“Vllaznia, pa ritëm. Dinamo bëri lojën e saj, ka një lojë konstante. Është një skuadër që ka limite. Trajneri po mundohet me grupin që ka. Nuk prisja që Vllaznia të bënte një lojë të tillë, të dobët, pa ritëm. Vllaznia e ka potencialin, lojtarët janë aty. Nuk mund të justifikohesh me mungesat. Mund të ketë pak alternativa për ndërrimet, por nuk mund të thuash se nuk ka grupin e duhur. E kam thënë edhe më parë, është një skuadër që e nis me një ritëm të ngadaltë dhe vazhdon kështu”. Kështu u shpreh Shkëlqim Muça në studion e emisionit “Rubrika Sportive” në RTSH drejtuar nga Hygerta Sako.
Më pas, duke vijuar të analizojë ndeshjet e tjera të javës së shtatë të Superiores, Muça tha se, pretendentët e kanë marrë shumë lehtë, edhe struktura e re ndoshta ka ndikuar. Duket se nuk ka diferenca të mëdhaja, por duhet thënë se kampionati akoma nuk është ngritur në nivelin e duhur, skuadrat nuk kanë ritëm.
Humbja e shijakasve – “Erzeni ka moment të mira, por sa herë që kërkon të justifikohesh, atëherë bën gabimin e radhës. Duhet të qëndrojnë me këmbë në tokë, duhet të bëjnë atë paraqitje të mirë si në ndeshjen me Tiranën. Nuk mund të deklarosh që na mundi një skuadër që shkoi një herë apo dy herë në portë. E njëjta gjë, si me Skënderbeun ashtu dhe me Kukësin. Drejtuesit duhet të jenë më të kujdesshëm me deklaratat, sepse ndikon te skuadra”.
Rënia e Egnatias – “Teuta duket se e ka momentin e ndryshimit pikërisht në ndeshjen me Egnatian, kështu ndodhi dhe në sezonin e kaluar. U çudita në fakt nga formacioni i Egnatias, lojtarin më të mirë e kishte në stol, ndikoi shumë te loja. Asnjëherë nuk u ngjit mbi mesataren, ishte një skuadër ndryshe. Teuta ishte gjithmonë në pritje. Trajneri bëri disa zëvendësime, skuadra ndryshoi”.
Partizani voluminoz, por… – “Është ndeshje futbolli, mund të bësh volum, po nuk shënove… Partizani e kishte lojën në dorë, por nuk shënoi. Edhe për vendosjen e formacionit, kam rezervat e mia. Aktivizimi i Grezdës, është komplet jashtë forme. Sulmuesit mes tyre nuk kanë kimi. Da Silva duhej aktivizuar më përpara, sapo u aktivizua krijoi disa mundësi. Atë volum që bëri Partizani i iku kot. Skënderbeu, me atë kontigjent që ka, është shumë i organizuar”.