Vllaznia mbyll fazën e parë me një ndeshje kundër Skënderbeut më 22 tetor në stadiumin e Korçës. Humbja ndaj Tiranës, por edhe ecuria jo e mirë në tërësi e skuadrës në këtë fillim të kampionatit, ka shqetësuar jo pak drejtuesit. Tashmë rreth kuqebluve presioni sa vjen dhe shtohet, ndërsa ndryshimet në formacion duken të pashmangshme në sfidën e radhës.
Trajneri Migen Memelli e paralajmëroi një gjë të tillë, ndërsa veçanërisht kritikat shkuan për sulmuesit e krahut, por edhe mbrojtësit. Gjasat janë që Ildi Gruda dhe Mehdi Çoba të “paguajnë” ndryshimet, duke u ulur në stol pas paraqitjeve të fundit. Kritikat mësë shumti kanë qenë për Çobën, i cili nuk zgjidhi si duhet një aksion në sekondat e fundit, që për fat të keq u kthye më pas në kundërsulm për Tiranën dhe gol nga Florent Hasani.
Gjithsesi, lëvizjet në formacion nuk janë thjesht për të dhënë një sinjal për disa lojtarë që kanë qenë larg pritshmërive, por edhe të detyruara. Për shkak të kartonëve të verdhë dhe të kuq, Memelli nuk do të ketë në dispozicion ndaj Skënderbeut dy titullar fiks si mesfushorin Ardit Krymi dhe mbrojtësin e djathtë, Geralb Smajli.
Në këto kushte, hallet shtohen duke pasur parasysh edhe dëmtimet e shumta që ka pasur skuadra këtë periudhë. Mungesa të sigurta do të vijojnë të jenë edhe mbrojtësit Xhelil Asani dhe Flori Spahija, por gjithashtu sulmuesi brazilian, Bruno Gomesh, i cili ende mbetet jashtë grupit për shkak dëmtimi. Ky i fundit ka nisur me vrapime të lehta nën kujdesin e përgatitësit atletik, por rikthimi me grupin do të kërkojë kohë për Gomesin.
Memelli kërkon një skuadër më agresive dhe ndeshja e radhës ndaj Skënderbeut është një provë karakteri që duhet kaluar me sukses. Në rast të një tjetër humbjeje, situata mund të përshkallëzohet, me drejtuesit që presin reagim të shpejtë nga stafi dhe ekipi. Ndërkohë, në ditët e ardhshme do të zhvillohet edhe një analizë e hollësishme me ekipin, ku do të marrin pjesë edhe drejtuesit më të lartë të klubit.
Admir URUÇI