Vllaznia do të luajë sot ndeshjen e jaës së tretë të Kategorisë Superiore duke pritur në “Loro Boriçi” Partizanin, ndeshje, e cila nis prej orës 19:00. Kuqebluve në këtë sfidë do t’i mungojë portjeri titullar i ndeshjeve të para të kampionatit, Aron Jukaj.
Gardiani shkodran, ishte titullar në sfidën e së enjtes ndaj Zvicrës, por në minutat e fundit pësoi një dëmtim pas përplasjes me shtyllën në episodin që solli autogolin e tij.
Pas ndërhyrjes së stafit mjekësor, portieri u detyrua të linte fushën, ndërsa më pas kontrollet mjekësore konfirmuan dëmtimin në shpatull, që do ta mbajë larg fushave për rreth një muaj.
Në këtë mënyrë te Vllaznia vjen momenti për të luajtur titullar gjermani Leon Pohls, i cili u afrua gjatë kësaj merkatoje verore në radhët e 9 herë kampionëve të vendit tonë. Por, që momentalisht konsiderohej një rezervë dhe alternativë e Jukajt, duke parë formën e mirë që po kalonte 20-vjeçari i katërkëndorit kuqeblu.
E kështu Pohls do përpiqet të përfitojë nga kjo mungesë e portierit titullar të 9 herë kampionëve të vendit tonë. Kjo ndoshta për të siguruar edhe vendin e titullarit në vijimësinë e kampionatit. Është ironike situata me Jukajn, i cili sezonin e shkuar “përfitoi” nga një dëmtim i portierit titullar, Qarrit, në muajin dhjetor. Që nga ai moment portieri edhe i kombëtares U-21 të Shqipërisë u shndërrua në titullar të ekipit shkodran. Duke mos e lëshuar më vendin e tij në portë. Teksa tashmë do jetë për një periudhë që mendohet të jetë rreth 1 muaj jashtë fushave të blerta të lojës.
Endri ÇINARI