Vllaznia-Skënderbeu 1-0
(Shënues: Hakaj 58’)
VLLAZNIA: Zogoviç, Gurishta, Adili, Hakaj, Bulatoviç, Jonuzi, Heriç, Mustedanagiç, Latifi, Hoxhaj, Aralica. Trajner: Elvis Plori
SKËNDERBEU: Rexhepi, Zguro, Shehi, Sadriu, Frashëri, Zhan Viktor, Moraesh, Dumfur, Vangjeli, Mara, Mensah. Trajner: Skënder Gega
Gjyqtarë: Kreshnik Bajramaj
E shtunë, 30 prill 2022, ora 16:45, Stadiumi “Loro Boriçi”-Shkodër
Një fitore pa shkëlqim, mund të thuhet ajo që Vllaznia arriti pasditen e sotme në stadiumin “Loro Boriçi” në ballafaqimim me Skënderbeun. Por, nga ana tjetër, më shumë të rëndësishëm janë tre pikët e marra që i mbajnë kuqeblutë në luftën për kapjen e zonës Europiane. Dhe, përpos kësaj, është një fitore që do të mbahet mend gjatë për teknikun Elvis Plori, i para pas shtatë ndeshjesh debutim në ciklin e tij si trajner i parë në krye të kuqebluve pas largimit të kolegut Brdariç.
Dhe, këtë kënaqësi ia ka dhënë goli i një mbrojtësi si Ersin Hakaj, i cili në minutën e 58-të e dërgoi topin në rrjetër e portës korçare. Gol, i cili qëndroi në fuqi deri në fund të takimit duke qënë përcaktues në arritjen e kësaj fitoreje.
Por, nuk duhet harruar se në 45 minutat e parë, edhe pse përpara ndeshjes konsideroheshin inferior, miqtë nga Korça të drejtuar nga Skënder Gega kanë befasuar me lojën sulmuese, ku sidomos në dy momente ishin të çuditshme humbjet e rasteve të futbollistëve korçarë. Qëm nëse do të realizoheshin gjërat edhe mund të shkonin ndryshe në vazhdim.
E ndërkohë, duke qëndruar përsëri tek pjesa e parë, Vllaznia mund të kishte shkuar në dhomat e zhveshjes me avantazhin 1-0, ku gjatë një kundrasulmi në portën korçare, Latifi rrëzohet në zonë. Vllaznia kërkon penallti, por gjyqtari Kreshnik Bajramaj është i mendimit për simulim të sulmuesit shkodran, madje duke e ndëshkuar me të verdhë.
Pas rikthimit në fushën e lojës, është po gjyqtari Bajramaj që nxjerrë një karton tjetër. Këtë radhë, të kuq në adresë të Randy Dëumfor, duke e lënë Skënderbeun nga minuta e 62-te me një futbollistë më pak në fushën e lojës.
Katër minuta më herët, Vllaznia kishte kaluar në avantazh me anë të Hakajt. Dhe, me këtë situatë avantazhuese, të krijohet përshtypja se se gola të tjerë, pse jo edhe të shumtë do të përfundonin në rrjetën e Skënderbeut.
Megjithatë, megjithë përpjekjet e të dyja skuadrave, gol nuk ka më, duke vulosur rezultatin 1 me 0 në favor të Vllaznisë. Tre pikësh që vazhdon ta mbajë Vllazninë në ”valle”, pse jo edhe optimste për të kapur zonën Europiane përmes kampionatit. Ndërkohë, që edhe pse mori komplimente për përformancën në “Loro Boriçi”, humbja në Shkodër për Skënderbeun do të thotë një shtysë më shumë drejt rënies në të parën.
Gaspër MARKU