Në krye të Vllaznisë U-21 kategoria superiore, për sezonin e ri futbollistik 2021-2022, Kampionati Kombëtar i së cilës starton të mërkurën do të jetë trajneri anglez Dean Paul Sibson dhe kolegu i tij, ish futbollisti kuqeblu, Ergi Borshi. Ka qënë drejtori sportiv i KF Vllaznia, Matko Djarmati që një ditë para nisjes së kampionatit, përmes konferencës për shtyp organizuar në mjediset e stadiumit “Loro Boriçi”, prezantoi dyshen e trajnerëve në fjalë, Sibson dhe Borshi.
Gjatë fjalës së tij, Djarmati vuri në dukje se këtë sezon të ri futbollistik, klubi kuqeblu ka vendosur t’i kushtojë një rëndësi edhe më të madhe skuadrës së 21 vjeçarëve. Është kjo arsyeja që është investuar duke emëruar në krye të kësaj skuadre një trajner të huaj si anglezi Dean Paul Sibson, i cili vjen pas një përvoje, jo vetëm si ish futbollist në Angli, por dhe më pas edhe si trajner në disa skuadra edhe jashtë Anglisë.
Në krah të trajnerit anglez, Dean Paul Sibson, është vendosur ish futbollisti shkodran, Ergi Borshi, i cili pas shkëputjes disi më herët nga futbolli i luajtur për arsye dëmtimi ka nisur një përvojë të re në detyrën e trajnerit.