Partizani-Vllaznia 3-0
(25-9, 25-14, 25-23)
Kuqeblutë e Vllazninë në volejboll për meshkuj kanë humbur gjysëmfinalen e parë. Ndeshja e luajtur në pallatin e sportit “Asllan Rusi” mes Partizanit vendas dhe Vllaznisë mysafire është mbyllur me shifrat 3 me 0 në favor të Partizanit.
Një humbje, që duke parë nivelin e lartë të kundërshtarit, me një Partizan të blinduar me lojtarë të huaj, përballë një Vllaznie bio me vetëm voejbollistë shkodranë, në një farë mënyre u paralajmërua më herët nga trajneri kuqeblu, Artan Kalaja.
Megjithatë, siç e deklaroi edhe në prononcimin e pas ndeshjes së fituar me Skënderbeun në Shkodër, tekniku Kalaja, Vllaznia ka bërë të gjitha përpjekjet për të frenuar Partizanin. Dhe, nëse në dy setet e parë ka qënë e pafuqishme për një gjë të tillë, pasi është mundur lehtësisht nga Partizani, respektivisht me shifrat, 25-9 dhe 25-14, në të tretin është shfaqur ndryshe.
Në këtë set të tretë, Vllaznia ka dalë në lojën e saj, dhe për hirë të së vertetes e meritonte fitoren, pasi edhe e pati mundësinë kur ishte në kryesim. Por, përvoja e Partizanit, me kualitetet vendase dhe të huaja në formacion, arriti të përmbysë shifrat duke fituar setin e tretë 25 me 23 dhe të gjithë ndeshjen me rezultatin 3 me 0.
Ndeshja e dytë gjysëmfinale mes çiftit Vllaznia-Partizani, do të luhet pasditen e së premtes së 7 prillit në pallatin e sportit, “Qazim Dervishi” të Shkodrës, duke filluar nga ora 18:00. Nëse, Vllaznia arrin të fitojë ndeshjen e dytë, kualifikimi shkon në një ndeshje të tretë. Në rast të kundërt, nëse Partizani fiton edhe në Shkodër, mbyllet gjithçka duke çuar të kuqtë në finale.