Sunday, November 24, 2024

Volejboll-Superliga femra dhe meshkuj, mëson shortin e edicionit të ri 2022- 2023. Partizani-Vllaznia, përballja e javës së parë, femra dhe meshkuj

Lexo

Kampionatet kombëtare të Superligës së volejbollit, për femra dhe meshkuj, do të nisin në fundjavën e fundit të shtatorit. Ky është vendimi më i fundit i Federatës Shqiptare të Volejbollit, e cila njëkohësisht ka hedhur edhe shortin përkatës duke përcaktuar edhe kalendarin e sezonit 2022-2023.

Me praninë e përfaqësuesve të 8 klubeve, si për femra, ashtu edhe për meshkuj, që do të jenë pjesë e garës së Superligës, në ambientet e sallës “Feti Borova” në Parkun Olimpik të Tiranës, ka qënë sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Volejbollit Albens Vokopola, që është marrë monitorimin e hedhjes së shortit.

Në radhët e vajzave, java e parë e kampionatit ka dhuruar menjëherë përballje interesante, duke rikthyer finalen e edicionit të kaluar ndërmjet Skënderbeut dhe Tiranës, edhe pse korçaret, ndryshe nga një sezon më parë, tashmë paraqiten me shumë largime dhe me një ekip modest.

Partizani, që konsiderohet edhe si pretendent kryesor, falë një merkatoje shumë aktive, do të presë Vllazninë në kryeqytet.

Barleti luan në shtëpi kundër Korabit, ndërsa Teuta sfidon Lushnjën në Durrës.

Ndërkohë, kategoria e parë përbëhet nga katër ekipe dhe java e parë ka dhuruar sfidat Pogradeci-Flamurtari dhe Mirdita-Elbasani.

Për sa u përket djemve, Tirana do ta nisë mbrojtjen e titullit në transfertë, kundër Skënderbeut.

Erzeni e nis gjithashtu në transfertë, kundër Teutës, Partizani pret në fushën e tij Vllazninë, ndërsa Studenti pret Elbasanin.

Këtë edicion mungesa e madhe e kampionatit do të jetë Farka, një ekip që njihet për prodhimin e talenteve të shumta, që kanë furnizuar madje edhe ekipin kombëtar.

KUPA E FEDERATËS – Si zakonisht, edhe këtë herë, se zoni do të startojë me Kupën e FSHV-së, që konsiderohet edhe si një kompeticion testues në prag të kampionatit.

Kupa e FSHV-së do të mbahet më datat 23, 24 dhe 25 shtator. Ndërkohë, me mbylljen e fazës së parë të kampionatit, do të zhvillohet Kupa e Shqipërisë.

Gjithashtu, me mbylljen e fazës së parë, katër ekipet e para për femra dhe meshkuj do të kualifikohen për në Ligën “Gjergj Kastrioti”, event i përbashkët me Kosovën.

Ndërsa “Kupa e Pavarësisë”, një tjetër kompeticion mbarëkombëtar, këtë vit do të mbahet në Shqipëri.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img