Volejbolli shkodran dhe ai shqiptar në përgjithësi është në zi. Njëri nga emrat më të mëdhenj të këtij sporti, Mjeshtri i Madh Ali Bushati është ndarë nga jeta në moshën 78 vjeçare. Lajmi në fjalë bëhet i ditur nga kunati i tij, gazetari i mirënjohur lezhjan që prej vitesh jeton në Tiranë, Irfan Rama. Sipas tij, kollosi i sportit shqiptar, gjatë ditëve të fundit, dhe konkretisht në periudhën e ndërrimit të viteve, u prek nga një sëmundje e rëndë dhe megjithë përkujdesjen maksimale të familjarëve si dhe të personelit shëndetësor të Spitalit Rajonal të Shkodrës, ai nuk arriti t’ia dalë duke ndërruar jetë mëngjesin e së shtunës së 23 janarit 2021.
Karriera sportive
Lajmi në fjalë ka prekur thellë botën e sportit, komunitetin shkodran, por edhe atë mbarë shqiptar, sepse Ali Bushati nuk ishte vetëm i Vllaznisë, por edhe i Partizanit dhe i kombëtares së Shqipërisë. Amatorët e shumtë të sportit dhe veçmas ato të volejbollit kujtojnë me nostalgji atë karrierë brilante të Ali Bushatit në vite. I Lindur më 12 gusht 1942, 186 cm i gjatë, pesha e lojës 80 kg, karriera sportive si volejbollist e Ali Bushati ka një ecuri shumë të suksesshme. 1959-1963, 1965-1975 është pjesë e ekipit Vllaznia.
Si kapiten, por edhe si trajner i skuadrës kuqeblu Ali Bushati është fitues i 3 kupave të Republikes në vitet 1969, 1970, 1973 duke pasur në krah emra kolegë të nderuar si Franc Jakova, Tonin Fistani, Sandër Paloka, Viktor Jubani, Mark Grimci, Xhelal Haxhi, Bato Lashova, Agustin Gjoni, etj. Nga viti 1968-1973 Vllaznia zë vendin e dytë në kampionat kombëtar në rivalitet të fortë me kampionen Dinamo të Vangjel Kojes dhe Asllan Rusit. 17 vjeç është në gjashtëshen e parë të Vllaznisë, ndërkohë që për dy vite të tjera, ato 1963- 1965 Bushati vesh uniformën e Partizanit të Tiranes duke qënë volejbollisti kryesor i formacionit të të kuqve.
Në karrierën e tij sportive, Ali Bushati numëron 60 ndeshje ndërkombëtare nga të cilat 25 me ekipin kombëtar në gjashtëshen e parë përkrah mjeshtërve të medhenj, si Asllan Rusi, Dashamir Fagu, Ylli Shehu etj. Huazohet nga Dinamo e Tiranës në ndeshjet e Kupës së Kampioneve dhe luan shkëlqyer në dy fitoret e mëdha në vitin 1966 në Tiranë kundër Virtus të Bolonjës dhe Bloker të Hollandes 3-0. Sikurse shquhet në ndeshjet e Dinamos me kampionët e Partizanit të Beogradit, Harvey të Holandes, CSKA të Sofjes etj. Luan në gjashtëshën e parë të përfaqësueses në turnetë e zhvilluar në Kinë, Kampionatin Europian në Stamboll në vitin 1967( Shqipëria fiton 3-0 me Suedinë, 3-0 me Turqinë dhe Greqinë, 3-2 me Izraelin. Në 25 ekipe Shqipëria zuri vendin e 12). Në vitin 1969 luan me përfaqësuesen në Kampionatin Botëror të Sofjes në gjashtëshen e parë dhe fitojnë me Greqinë, Rumaninë etj.
Vlerësimet për Ali Bushatin
Një karrierë e tillë kaq e pasur sportive e Ali Bushatit, nuk kishte se si të mos shoqërohej edhe me nderimet përkatëse ndaj kësaj figurë të shquar sportive, jo vetëm në prizmin lokal të qytetit të Shkodërs, por edhe në atë kombëtar. Kështu, për kontributin e madh që ai dha në fushën e sportit të volejbollit, Ali Bushati do të nderohej me Titujt: “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, “Nderi i Sportit Shqiptar”, “Mjeshtër i Madh” dekoruar nga Presidenti i Republikës në vitin 2012. Njëkohësisht, është zgjedhur nga Gazeta Sporti Shqiptar në gjashtëshen e Shekullit, i katërti në gjashtëshe pas Petrit Murzakut, Asllan Rusit e Dashamir Fagut.
Është rënditur gjithashtu në 10 sportistët më të mirë të Shkodrës të shekullit. Ishte një volejbollist i gjithanshëm i rrallë si shuter, përgatitje të shkëlqyer teknike fizike e taktike, super i aftë në bllok e vijë të dytë, përgatitje të shkëlqyer akrobatike, pasues virtuoz dhe elegant, ngeces fin, etj. Ali Bushati ishte gjithashtu edhe një trajner shumë cilësor kur drejtoi në vitet 1975-85 ekipin e të rriturve dhe të rriturave të Vllaznisë së Shkodrës.
Veriu Sport i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjes “Bushati” për humbjen e njeriut të tyre të afërt dhe njëkohësisht, Sport Klub Vllaznisë, Klubit Partizani dhe Federatës Shqiptare të Volejbolit, për humbjen e kësaj figure të spikatur sportive që kontribuoi aq shumë për sportin e volejbollit.
Gaspër MARKU