Situata konfuze në Federatën Shqiptare të Futbollit, sidomos ajo e pas mbajtjes së Asamblesë së Përgjithshme dhe pezullimi nga funksionet e tyre të dy drejtuesve më të lartë të FSHF-së, presidentit Armand Duka dhe sekretarit të përgjithshëm Ilir Shulku duket se ka nxitur institucionin e UEFA-s të marrë një vendim ekstrem ndaj Shqipërisë.
Ndonëse nuk është akoma zyrtar, informacionet mediatike bëjnë të ditur se UEFA mund të ndëshkojë ashpër Shqipëria duke shkuar deri atje sa të spostojë luajtjen e finales së Conference League për tu lujtur në Athinë.
Lajmi në fjalë ka bërë që të vijnë menjëherë edhe reagimet e ndryshme nga qarqet e futbollit shqiptar. Për Sulejman Strarovën, ish funksionar më herët në FSHF, trajner dhe drejtor teknik, nëse vertet situata është e tillë, atëherë futbolli shqiptar humb shumë. “UEFA nuk toleron të tilla raste dhe dënon ashpër. Unë e kam provuar edhe vetë. Nuk është problemi se po na ikën finalja, por kështu pezullohet futbolli praktikisht. Këtu nuk ka akuza direkte për dy drejtuesit kryesorë që janë të pezulluar. Duhet të presim të hetohen gjërat dhe më pas të shikojmë. Humbje e madhe është heqja e finales së Conference League. Mund të ketë penazilime për kombëtaren dhe klubet shqiptare.”, është shprehur Starova.
Ndërkohë, Nevil Dede, ish trajner i kombëtares së moshave, sot trajner i Erzenit, është i mendimit që zërat për një dënim të mundshëm të UEFA-s, ndaj Shqipërisë, janë për ndërhyrje të politikës në zgjedhjet e FSHF. Sipas Dedes, të gjitha zgjedhjet politike kanë qenë të kontestuara, dhe nëse do të ndërhynin Gjykatat, sipas tij vendi do të mbetej peng. “Janë 10 presidentë të Superiores, të gjithë në bllok që votojnë për Dukën. I gjithë komuniteti i futbollit ka një besim të fortë në drejtimin e tij. Sa zgjedhje politike kam parë në Shqipëri, të gjithë i kanë kontestuar, nëse ndërhynin Gjykatat, ky vend do mbetej peng gjithë jetën. Nëse zgjedhjet certifikohen nga FIFA dhe UEFA, si nuk e certifikojnë Gjykatat. T’i heqësh futbollin këtij populli, atëherë çfarë i mbetet tjetër?!”, theksoi Dede.