Sunday, November 24, 2024

Zhgënjen Vllaznia, Egnatia i merr një barazim të merituar në “Loro Boriçi”

Lexo

Vllaznia- Egnatia 1-1(Shënues: Krymi71’ /Ademi 40’

E premte, 21 janar 2022, ora 16.45, Stadiumi “Loro Boriçi” i Shkodrës

VLLAZNIA: Zogoviç, Gurishta, Adili, Dianje, Bulatoviç(Hakaj 32′), Krymi, Jonuzi, Kruja(Çoba 32′), Da Silva(Heriç 89′), Gjurgjeviç,(Mustedanagiç 32′), Aralica. Trajner: Tomas Brdariç

EGNATIA: Puja, Imeralilaj(Kacbufi 90′), Krasniqi, Krivanjeva, Allmuça, Majkëll, Iseni, Levendi, Ademi, Xhekson, Magani(Shtubina 81′). Trajner: Zekirija Ramadani

Gjyqtarë: Orlando Kuka, Arber Zalla, Endrit Veseli. I katërt   Blerim Ziri

Delegat: Alban Tafaj. Vëzhgues: Prek Pjetrushi

VAR: Eldorian Hamiti. AVAR: Dojando Myftari

Nisur nga spektakli që Vllaznia dhuroi javën e kaluar në transfertën kryeqytetase, tifozëria kuqeblu dhe mbarë opinioni sportiv shkodran në përgjithësi priste që ndaj Egnatias së vendit të parafundit të regjistrohej një fitore, madje edhe gola të shumtë.

Por, realiteti foli ndryshe. Jo vetëm që nuk ndodhi kjo e dyta, por nëse nuk do të ndëhynte portjeri Zogoviç, me atë rast tjetër krejt të pastër të miqve të pjesës së dytë, Egnatia mund të largohej edhe me tre pikë nga Shkodra.

Për hirë të së vertetes, duhet thënë se ndeshja e luajtur pasditen e sotme në stadiumin “Loro Boriçi”, e para në kalendar për njavën e 17-të të Superiores, ka filluar mirë për miqtë nga Rrogozhina. Egnatia e dirigjuar në mënyrën më të mirë nga trajneri Zekerija Ramadani e nisi ndeshjen me një lojë perfekte duke u paraqitur jo vetyëm si e barabartë me Vllazninë, por për rreth 10-15 minuta me një përformancë më të mirë se vendasit.

Megjithatë, nuk zgjati shumë, dhe Vllaznia u fut në lojën e saj duke mos hezituar të krijojë rastet e duhura për shënim. Po, pikërisht, në momentin e saj më të mirë, një kundrasulm i shpejtë i rrogozhinasve në minutën e 40-të e gjen mbrojtjen kuqeblu të papërgatitur. Sprintin me top të Ademit nga mesi i fushës nuk arrin ta ndalë askush nga kuqeblutë, ndërkohë që edhe gjuajtja e tij në hyrje të zonës kuqeblu është perfekte duke mos mundur të bllokohet nga Zogoviç.

0 me 1 për Egnatian mbyllet pjesa e parë, ndërkohë që e dyta fillon me një presion të kuqebluve drejt portës rrogozhinase. Për ta shtuar akoma më shumë ritmin e skuadrës së tij, Brdariç ndërhyn në ndërrime më shpejt se sa ndeshjet e mëparshme kur është kritikuar për një gjë të tillë. Çoba, Hakaj, Mustedanagiç, zëvendësojnë në të 65’, Krujën, Bulatoviç dhe Gjurgjeviç.

Edhe pse kërkohet me insitim goli i barazimit, Egnatia është fare pranë golit të dytë. Dhe, kjo përsëri për faj të prapavijës, e cila sfidohet nga Xhekson duke depërtuar krejt i vetëm përballë portjerit Zogoviç, ku vetëm mrekullia e këtij të fundit shpëton Vllazninë nga pësimi i golit të dytë. Që, nëse do të shënohej, ndeshja edhe mund të mbyllej aty.

Dhe, fati është me Vllazninë, që jo vetyëm që nuk pëson, por pas tre minutash gjen golin e barazimit me protagonist Ardit Krymin, i cili shfrytëzon një kros të përpikë nga e djathta e sulmit kuqeblu nga boishnjaku Mustedanagiç duke e dërguar me kokë në rrjetë.

Është minuta e 71-të dhe ka mjaft minuta në dispozicion për të gjetur golin e avantazhit, por edhe pse ka dëshirë, këmbëngulje dhe presion në portën kujndërshtare, goli nuk del në dritë. Kjo, edhe për meritë të kundërshtarit, i cili i ndihmuar edhe nga aktivizimi i shkodranit Shtubina, jo vetëm që mbrohet mirë por edhe me besimin e mbajtjes së topit dhe të qarkullimit të tij, madje edhe duke sulmuar fiton minutat e duhura deri sa mbërrin vërshëllima përfundimtare e arbitrit kryrsor Kuka që mbyll krejt ndeshjen.

Barazim që do të thotë zhgënjim për skuadrën kuqeblu, nisur nga objektivat e titullit të shpalosura publikisht. Dhe, ndërkohë, pikë me vlerë për Egnatian në luftën e mbijeteses së qëndrimit në kategorinë Superiore.

Gaspër MARKU

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img