Sylvinho “debutoi” në konferencën pët shtyp duke thënë se nëse të gjithë ecin në të njëjtin drejtim atëherë rrezultatet nuk do të mungojnë. Trajneri Brazilian më shumë se një herë u tregua optimist për punën që ka pranuar dhe mendon se kualifikimi në Euro 2024 është i prekshëm.
“Ashtu siç tha edhe presidenti Duka mendoj se që Shqipëria të kualifikohet duhet që të gjithë ne të ecim në të njëjtin drejtim. Ne, Federata, gazetarët dhe tifozët duhet të jemi nga ana e ekipit dhe ta mbështesim deri në arritjen e objektivit”, nisi 48-vjeçari.
Objektivi i komisarit të ri teknik të Shqipërisë është Euro 2024. Gjatë konferencës për shtyp ai nënvizoi disa herë faktin se Shqipëria mund të kualifikohet edhe pse ndodhet në një grup delikat. “Botërori që sapo u mbyll na tregoi se futbolli është sakrificë, mund dhe djersë. Duam që të kualifikohemi në Euro 2024. Ndeshja e parë (i referohej duelit me Poloninë) është shumë e vështirë për ne, por do të zhvillojmë disa miqësore që të njihemi më mirë”, tha Sylvinho.
I pyetur se sa njohuri kishte mbi futbollin tonë dhe situatën që po kalojnë futbollistët tanë me klubet respektive, Sylvinho pranoi se: “Shqipërinë e njoh deri diku. E ndoqa në ndeshjen miqësore kundër Italisë. Mund të them se e njoh edhe falë Manajt, me të cilin kemi punuar bashkë në kohën kur unë isha zëvendëstrajner i Mançini-t tek Interi”.
Sa i përket punës trajneri brazilian tregoi se i kishte idetë e qarta. “Sapo mora këtë detyrë mendova si do të programojmë punën. Them se do ta ndajmë në dy faza. Si fillim do të zgjedhim futbollistët, të cilët kanë potencial për të dhënë në fushë. Ndërsa pika e dyta konsiston në ndjekjen nga afër të secilit prej tyre”, shpjegoi Sylvinho.
Pasi i vunë në dukje eksperiencën e pakët si trajner, Sylvinho iu rikthye eedhe një herë mësimeve që kishte nxjerrë nga Botërori. “Është e vërtetë që unë nuk kam stërvitur shumë skuadra, por më pëlqen të shikoj rrugëtimin e Scaloni-t tek Argjentina. Edhe ai nuk njihej për rrezultatet si trajner para se të fitonte Katar 2022 me Argjentinën”, pohoi 48-vjeçari.
Në fund të fjalës të tij Sylvinho kishte dhe disa rekomandime për lojtarët e Shqipërisë. “Brezi i ri është rritur shumë nga ana teknike dhe duhet të punojmë shumë pasi mendoj se nga Shqipëria mund të marrim shumë rrezultate të mira. Mendoj se na duhet të jemi pak më agresiv për të arritur atë që duam. Kur them agresiv nuk nënkuptoj të dhunshëm”, tha Sylvinho.
(Video) Ceremonia e prezantimit të trajnerit të ri të kombëtares shqiptare, brazilianit Sylvinho)