Monday, November 25, 2024

10 vite pa Artan Bushatin-10 vitet e një mungese të gjatë për ish futbollistin, ish trajnerin, pedagogun, drejtuesin e sportit, qytetarin dhe prindin shembullor!

Lexo

–  Requiem për Artan Bushatin –

Nga Gëzim Podgorica 

Pasditen e kësaj të martë, një  telefonatë  e Lidrës më solli në vëmendje një përvjetor të hidhur: Dhjetë vjetorin e  ikjes së njeriut të mirë, të zot dhe shoqërisht të pazëvëndësueshëm, Artan Bushatit. Nuk është se e kisha harruar, kurrsesi, por telefonata  më  mbështolli me një  atmosferë dhimbjeje për një mungesë kaq të gjatë të mikut tonë të çmuar. Rrugëtimi i këtyre dhjetë viteve për të  afërmit dhe miqtë e Tij sigurisht që ka qënë shumë i vështirë, por  kur mendon se profili  i tij ishte i plotësuar, dhimbja vërtet është e rëndë, por është një dhimbje krenare.

Një sfidant i lindur që  kishte sfiduar shumëçka, por  që nuk mundi dot të sfidonte pikërisht atë që duhej më shumë: Sëmundjen që i ndërpreu  jetën. Por si të  gjithë tokësorët e  tjerë,  edhe ai  nuk kish zgjidhje dhe zgjedhje tjetër, veçse t’i drejtohej qiellit.

Me një sportivitet të pazakontë ai dijti aq mirë ta përballonte jo vetëm sëmundjen e rëndë, por edhe ndarjen.  Në kafet e ditëvë të fundit, më  tha një  paradite të nxehtë fundgushti tek  veranda e Juvenilies : Nuk e duroj dot  kurajon fallco që më japin, duke më thënë: hajt se je më mirë. Prandaj sot kam vendosur  t’i  ul  në tavolinë të gjithë dhe të bëj një bashkëbisedim edhe ndarjeje, duke  lënë jo thjesht amanete, por  porosi që mendoj se duhet t ‘i jap si zot shtëpie.

Heshta për një kohë të gjatë, duke u munduar të gjej disa fjali që të dilnim të dy nga situata që u krjiua pas një bisede shumë realiste, por  të vështirë në përmbajtjen e saj. Mjekët kishin përcaktuar një fund shumë të shpejtë dhe ai megjithëse nuk  kishte patur komunikim  me ta, kish ditur ta lexonte saktësisht gjendjen e tij. E ndjente se ditët po shkurtoheshin me shpejtësi vrastare dhe  guximshëm po përballonte  çastin më të vështirë të jetës.  Ndërsa Lidra nuk pranonte  kurrsesi dhe me plot të drejtë të bëntë biseda ndarjeje me të, ai  me 26 gusht e uli përballë vetes  në spitalin e Shkodrës dhe ndante mendimet për të ardhmen e saj  dhe të vajzave:  Sindit dhe Nensit! Duhet një kurajo e madhe  që  me plot qetësi dhe forcë të  pranosh  me guxim  ndarjen  dhe të  bisedosh me një vizion shumë të emancipuar  për  vazhdmësinë e jetës së familjes që le pas. Ishin biseda të panegociueshme, të paravendosura e të mirëmenduara nga njerëz si ai, me botë e shpirt të madh, por edhe me një forcë të madhe karakteri.

Mund të kujtosh shumëçka nga jeta e Artanit, por jo rastësisht u ndala tek ky moment i dhimbshëm, jo thjesht për faktin  se e kujtoj në detaje, por për atë  mbresë të jashtëzakonëshme që më ka lënë  forca dhe karakteri i tij. Duhen njerëz  me botë të pasur shpirtërore e sfidantë të lindur, që qetësisht të  presin ndarjen nga jeta dhe të përcjellin mesazhe si ato që dinte të përcillte  Artan Bushati.

Forca e madhe e  karakterit  e  karakterizoj edhe në punën e tij si trainer i sukseshëm e plot me gjurmë pozitive si tek Vllaznia, Elbasani dhe  në mënyrë mjaft të spikatur edhe tek kombëtarja e  Shpresa.Rezultate, arritje që janë shënuar në memorin futbollistike, sportistë  që rriteshin dhe  konsolidonin të ardhmen e tyre, nën dirigjimin e një traineri që luante me një partiturë shumë profesionale e të mirëmenduar.

Nuk e di sesi ai do të përjetonte sot  gjendjen në të cilën  është Elbasani për të cilin u investua  intelektualisht dhe  shpirtërisht. Kurrsesi  një  trainer  plot ambicie dhe me një vullnet  të hekurt për punë do të mund të  pajtohej që skuadra me emër të madh në futbollin shqiptar të jenë në eliten e futbollit shqiptar, apo edhe më keq. Nuk mund të pranonte jo thjesht për ambiciet  e tij si trainer, por  mbi të gjitha për  kredon sportive që duhet të kenë qytete si Shkodra dhe Elbasani, aq shumë kontribues në futbollin shqiptar, me emra të mëdhenj e të papërsëritshëm. Futbolli ishte dashuria dhe dhëmbja e Artanit, ndaj ishte i sukseshëm dhe i gjithëpranuar nga  mjedisi sportiv.

Artani e ka lënë emrin e tij aty ku duhet, në memorin e qytetit  të tij të Shkodrës, por edhe të Elbasanit dhe  më gjerë, pasi  ishte shpirtërisht  i dhënë pas botës së madhe të futbollit  dhe asaj  i dedikoj gjithshka çfarë duhej dhe çfarë ai dinte. Në jetën e shkurtër, por shumë intensive, tek futbolli la një emër të spikatur, por edhe tek studentët imponoj natyrshëm profesorin vullnet plotë e të ditur.

Iku qetësisht dhjetë vjet më parë, duke marrë me vete humorin që e kishte një tipar të vetvetishëm të jetës së tij që nuk iu nda deri në çastet e fundit, duke i dhënë ikjes së  vet një vello  fisnike që pak kush e merr me vete. Mori  shumeçka që na mungojnë prej tij. Na mungon krahas humorit edhe kënga e bukur që nuk i ndahej në asnjë çast në gëzimet familjare apo shoqërisë së gjërë që kishte. Na mungon  një personazh tipik i botës së futbollit, i ditur, kërkues, rezultativ, një akademik i vërtetë i kësaj loje. Na mungon njeriu  me veçori civile të papërsëritshme. Mungon tek familja referenca dhe njeriu i zemrës!

Por përballë këtyre mungesave ne kemi trashëgiminë e emrit të çmuar  qa  la, ndaj nga lart ku është jemi në paqe me shpirtin e tij, pasi gjurmët e punës dhe të jetës së vrullëshme  kanë shumë se ç’të thonë për Artanin…..

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img