Menjëherë pas vendimit të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s për heqjen e kufizimit për praninë e tifozëve në stadiumet e futbollit, Anglia është e para që hedhë hapin e parë në këtë drejtim. Nga sa bëhet e ditur, do të jetë gjysmëfinalja e kupës e 17 prillit, Lestër-Sauthempton, për të cilën federata angleze e futbollit në bashkëpunim me qeverinë përkatëse ka vendosur të hapë dyert e stadiumit për tifozët. Nga të njëjta burime thuhet se përmes kësaj ndeshjeje ku pritet të jenë rreth 4 mijë tifozë, synimi është të merret mesazhi i duhur për të parë realisht se si do të reagojë një person i rrethuar nga një turmë njerëzish. Gjithashtu, thuhet se spektatorët do të jenë të gjithë banorë të zonës përreth dhe jo tifozë të ardhur nga qytetet e tjera. Qeveria angleze ndërmerr kështu një hap të madh në këto kohë pandemie, siç është ai i hapjes së stadiumeve, gjë e cila ka sjellë dhe dëme të mëdha ekonomike për klubet europiane.