Kanë startuar sot ndeshjet e Kupës së Federatës në basketboll për meshkuj. Sipas shortit të FSHB, takimin e parë Vllaznia e drejtuar nga malazezi Nikola Milatoviç e luajti mbrëmjen e sotme përballë ekipit të Kamzës.
Në miqësoren mes këtyre ekipeve e luajtur pak ditë në Kamzë, Vllaznia doli fituese me rezultatin, 72-84. Por, në përballjen e sotme të luajtur në pallatin e sportit të Akademisë Goga Basket të Durrësit, aty ku do të zhvillohen të gjitha ndeshjet e kësaj Kupe ndodhi e kundërta.
Vllaznia në fakt e nisi mirë ndeshjen duke fituar periodën e parë me rezultatin 16 me 25. Nëntë pikët diferencë të periodës së parë në favor të Vllaznisë, me fitoren e periodës së dytë nga Kamza 25 me 16 bëjnë që të ngushtohet diferenca me tre pikë diferencë, 41-44.
Ajo që bëri diferencën e kësaj ndeshje në anën e ekipit të Kamzës ishte perioda e tretë. Ajo fitohet me 5 pikë diferencë, nga ana e kamzalinjëve 26-21 duke bërë që rezultati i përgjithshëm pas tre periodave të shkojë në shifrat 67 me 65 në favor të Kamzës.
Perioda e katërt është më e dobëta për skuadrën kuqeblu, të cilën Vllaznia e humb me rezultatin 26 me 15 dhe së bashku me të edhe të gjithë ndeshjen me shifrat e përgjithshme 91 me 80.
Në aspektin teknik të takimit, Niko Thano i Kamzës ishte lojtari me përformancen më të mirë për ekipin e tij duke arritur kuotën e 24 pikëve dhe 10 topave në tabelë. Ndërkohë, për Vllazninë, më i miri ishte Robert Shestani 23 pikë, 7 topa në tabelë dhe 4 asistime.
Ndeshjen e dytë të Kupës së Federatës, Vllaznia do ta luajë përballë ekipit Tirana Neptun duke filluar nga ora 17:00.