Sunday, November 24, 2024

Futboll Moshat-Superiore/Derbi shkodran Vllaznia-Shkodra. Barazim 1 me 1 për U-17, për U-19 fiton Vllaznia 1 me 0

Lexo

Java e dytë e Kampionatit Kombëtar të futbollit të moshave kategoria Superiore, kishte rezervuar derbin shkodran, Vllaznia-Shkodra. Kanë qënë dy ndeshje njëra pas tjetrës, fillimisht për U-17 dhe më pas edhe për U-19 të zhvilluara në stadiumin “Reshit Rusi” të Shkodrës, të cilat janë ndjekur me shumë interes edhe nga tifozëritë e të dy klubeve përkatëse.

Të parët janë ballafaquar 17 vjeçarët, kur KF Shkodra e drejtuar nga trajneri Arbion Kopliku në cilësinë e skuadrës udhëtuese ka shënuar e para në minutën e 30-të me anë të futbollistit të tyre Gilman Agraja. Avantazh ky 0 me 1 që KF Shkodra e mban në fuqi deri në mbyllje të pjesës së parë.

Ndërkohë, në pjesën e dytë, kuqeblutë e Vllaznisë që këtë sezon drejtohen nga trajneri Edmond Doçi arrijnë të barazojnë në minutën e 74-tërt me anë të sulmuesit Kevin Dodaj. Barazim, që edhe pse në minutat në vazhdim ka përpjekje nga të dyja skuadrat për të gjetur golin e fitores, ku më shumë  ngulmon Vllaznia, rezultati mbetet i pandryshuar duke e mbyllur të gjithë ndeshjen me rezultatin e barabartë 1 me 1. Pas javës së dytë, të dyja skuadrat U-17, Vllaznia dhe Shkodra, me nga një fitore dhe një barazim, janë në kuotën e katër pikëve.

Menjëherë pas 17 vjeçarëve në fushën e lojës të “Reshit Rusit” kanë zbritur 19 vjeçarët e të dy skuadrave, Vllaznisë pritëse dhe Shkodrës si mysafire. Skuadra kuqeblu që këtë sezon futbollistik ka në drejtim trajnerin Vioresin Sinani në 45 minutat e para të takimit pati më tepër epërsi duke e spostuar lojën në gjysëmfushën e KF Shkodra. Megjithatë, edhe pse po mbrohej me forca të shumta, KF Shkodra e drejtuar nga trajneri Rudi Piraniqi nuk nguroi që të shfaqej shpesh herë e rrezikshme në kundrasulm.

Pjesa e parë mbyllet me rezultatin e barabartë, 0 me 0, ndërkohë që e dyta duket se nis më mirë për klubin Shkodra, futbollistët e të cilit kanë më tepër iniciative për të kërkuar golin e avantazhit. Sidoqoftë, Vllaznia është Vllazni dhe nuk pushon së kërkuari për të gjetur golin. Dhe, pikërisht në momentin më të mirë të Shkodrës, pas një presioni në portën kundërshtare, Vllaznia e ndëshkon atë me një gol të shënuar në minutën e 63-të nga Ilah Mujaj.

Minutat në vazhdim janë përsëri për skuadrën kuqeblu, e cila falë rasteve për shënim edhe mund ta kishte dyfishuar avantazhin. Megjithatë, dhjetë minutëshi i fundit i ndeshjes përfshirë edhe minutat shtesë janë më të mira për KF Shkodra, ku me pak kujdes, futbollistët e tij edhe mund ta kishin barazuar rezultatin. Vërshëllima e fundit e arbitrit fikson rezultatin 1 me 0 për Vllazninë, e cila për hirë të së vertetes, për atë që dha në fushën e lojës, e meritoi plotësisht fitoren. Pas kësaj fitoreje, e dyta radhazi në kampionat, Vllaznia U-19 kryeson renditjen e grupit A me gjashtë pikë të plota.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img