Pasi ka kaluar me sukses javën duke mundur në shtëpi Shkëndinë e Tiranës me rezultatin 2 me 1, KF Shkodra U-19 u përballë në javën e dytë me Vllazninë. Ndeshja e luajtur në fushën e stadiumit “Reshit Rusi” të qytetit të Shkodrës përfundoi me rezultatin minimal, 1 me 0 në favor të Vllaznisë U-19 me trajner, Vioresin Sinanin. Në prononcimin e dhënë menjëherë pas ndeshjes në fjalë, trajneri i KF Shkodra U-19, Rudi Piraniqi e shikon si arritje zhvillimin e një derbi moshash në Shkodër, ndërkohë që pranon se Vllaznia ka potencialin e duhur për të fituar.
Profesor Rudi, një derbi i dyluftuar ky me Vllazninë U-19 që u fitua minimalisht nga kuqëblutë, 1 me 0.
Një ndeshje e bukur duhet thënë, si për Shkodrën dhe Vllazninë. Por, normalisht që Vllaznia ka potencial sepse ka një numër më të madh lojtarësh, si dhe ka një emër traditë. Nga ana e jonë, ne bëjmë përpjekje për të rritë formimin e sportistëve që të afrohen tek Superliga, sepse realisht është një kampionat shumë i vështirë ky i Superligës.
Derbi shkodran i moshave, Vllaznia-Shkodra dhe Shkodra-Vllaznia për të dy kategoritë e moshave Superiore U-17 dhe U-19 po ndiqet me shumë interes nga tifozëria shkodrane. Një vlerë më shumë për futbollin shkodran?
Diçka e bukur për tifozët, edhe për Shkodrën. Për mua nuk ka rëndësi fituese, sepse të dy ekipet kanë një qëllim, rritjen e cilësisë për të qënë sa më afër ekipit të parë. Pse jo, si Shkodra, si Vllaznia, ne vazhdimisht mendojmë për Shkodrën. Ekipet duhet të bashkëpunojnë në të mirë të rritjes së futbollit shkodranë në tërësi. Ne si KF Shkodra, kemi tre ekipe në Superligën e moshave, U-13, U-17 dhe U-19, me të cilët që në javët e para kemi arritur rezultate pozitive.
Cili është kalendari i KF Shkodra për javët në vazhdim?
Për javën e tretë luajmë në fushën tonë duke pritur Lushnjen për kategorinë U-19 si dhe U-17 luan me Djelmninë Shkodrane. Dy ndeshje, në të cilat ekipet tona do të futen në fushë për fitore.
Gaspër MARKU