Skuadra kuqeblu e drejtuar nga trajneri Thomas Brdariç vazhdon përgatitjet për ndeshjen e radhës, atë ndaj Skënderbeut në transfertë, ballafaqim ky i vlefshëm për javën e katërt të kategorisë Superiore të futbollit shqiptar. Pas dy ditëve pushim, e hënë dhe martë, e enjtja ka qënë dita e dytë stërvitore, e cila është zhvilluar në fushën sportive të Golemit në periferi të qytetit të Shkodrës.
Një seancë e cila ishte në kufijtë e 120 minutave, ku fillimisht në program ishin ushtrimet fizike dhe atletike nën drejtimin e përgatitësit atletik të ardhur ditët e fundit pranë Vllaznisë, bullgarit Mihail Tzokov. Ndërkohë, më pas puna ka vijuar me punën me topin, ushtrime teknike dhe taktike të udhëhequra nga trajnerët Brdariç dhe kolegu i tij Plori.
Në krahun tjetër sektori i portjerëve i udhëhequr nga trajneri i potjerëve Ideal Lekiqi së bashku me drejtorin sportiv, Matko Djarmati ishte i përqëndruar, jo vetëm me portjerët, por edhe me dy-tre futbollistë të rinjë, mes të cilëve edhe një mesfushor i ardhur nga Franca që po stervitet prej disa ditësh me skuadrën dhe që pritet të federohet në merkaton e janarit për llogari të Vllaznisë.
Për tu theksuar është se në dy seancat e para të kësaj jave nuk është parë të stervitet me skuadrën, braziliani Viktor Da Silva. Pasi shënoi golin e avantazhit javën e kaluar ndaj Partizanit, Da Silva pësoi një dëmtim, por ndërkohë që po merrte ndihmën e shpejtë nga stafi mjekësor dhe dëshironte të ishte sësishmi në fushën e lojës, stafi teknik vendosi ta ndërronte.
Një veprim ky që është parë qartë në “Elbasan Arena” që nuk i ka pëlqyer brazilianit, i cili nuk ka nguruar të reagojë. Mungesat e tij në dy seancat e para stervitore janë justifikuar për arsye të seancave rikuperuese pranë stafit mjekësor, por nuk përjashtohet mundësia që ia të ketë edhe qejfmbetje në këtë drejtim.
Mungesa e Da Silvës, por edhe gatishmëria fizike e mbrojtësit të qëndrës, senegalezit me ngjyrë, Fallou Diagne duket se do t’I japin mundësi tekniku Brdariç të formatojë një formacion ndryshe nga tre javët e mëparshme, për sfidën e së shtunës ndaj Skënderbeut. Që do të thotë, se kapiteni Erdenis Gurishta rikthehet në pozicionin e tij natyral të mbrojtësit të djathtë duke i dhënë mundësi Arsid Krujës të shtyhet më përpara në rolin e tij të preferuar, atë të mesfushorit të krahut.