Kuqezinjtë 21 vjeçarë luajnë sot në “Elbasan Arena” përballë homologëve të Andorrës duke filluar nga ora 19.00, ndërkohë që pas katër ditësh, po në “Elbasan Arena” presin Slloveninë. Gjatë konferencës për shtyp të mbajtur me gazetarët, trajneri i Kombëtares U-21, Alban Bushi ka folur për sfidat e radhës në eliminatoret e Europianit 2023. Bazuar në formën e mirë që disponojnë lojtarët që ai ka në dispozicion, Bushi është shprehur optimist se në sfidën e parë, atë të sotme nga Andorrës, objektiv është vetëm fitorja e tre pikëve.
“Me Andorrën brenda një viti e gjysmë kemi luajtur 3 ndeshje, dy i kemi fituar dhe një kemi marrë barazim atje. Është një ekip që ne e kemi vlerësuar maksimalisht, si nga ana e stafit, po ashtu edhe lojtarët. E shohim si të kemi Gjermaninë përballë, mezi e presim si ndeshje për të thënë që nuk jemi ne ata që kemi humbur në Çeki, por ishte një humbje momentale dhe ekipi duhet të reagojë dhe kjo ndeshje ka një domethënie të madhe. Ashtu si Andorra, edhe ne jemi një ekip modest, por ne kemi shpirtin e garës dhe luftën për të fituar një ndeshje e kemi shumë të madhe. Nëse na mungon kjo atëherë kemi probleme. Mendoj se këtë radhë nuk do të na mungojë.”, tha Bushi.
Në vijim, duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve të pranishëm në konferencë në lidhje me sfidën tjetër me Slloveninë, Bushi tha se “do të jetë një kundërshtar i vështirë, por vëmendja dhe objektivi janë tre pikët me Andorrën.”
Sa i përket elementit nga kampionati shqiptar, Bushi tha se ato po mundohen të afrojmë lojtarët që janë në kampionatin shqiptar, për moshën e caktuar që kanë dhe që mund të luajnë me në. “Çdo lojtar duhet të kuptojë që kur thirret nga ekipi Kombëtar, nuk është e rëndësishme që të luajë patjetër, por thjesht ty të ka ardhur ftesa, që do të thotë të përfaqësosh 20 më të mirët e Shqipërisë. Duhet ta shohë nga ana pozitive dhe duhet të jetë stimul për ata. Ka edhe nga ata që e kuptojnë këtë, por edhe nga ata që nuk e kuptojnë. Jam munduar që t’i stimuloj dhe që ta vlerësojnë Kombëtaren më shumë, pasi shoh që edhe në Kombëtaren A shkojnë lojtarë edhe të moshave të vogla. Që do të thotë se kanë cilësi, si Broja, Kumbulla, Muçi, etj, “, tha Bushi.