Kombëtarja shqiptare U-19 ka nisur që prej ditës së hënë grumbullimin për dy ndeshjet miqësore ndaj Malit të Zi. Kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri shqiptar Armando Cungu po stërviten intensivisht në qytetin e Ulqinit.
Ndeshja e parë ndaj Malit të Zi do të luhet ditën e nesërme, ndërsa sfida e dytë do të luhet katër ditë më vonë po në Mal të Zi. Në prag të sfidës së parë, trajneri Armando Cungu ka dhënë një prononcim, ku ka folur edhe për rëndësinë që kanë këto dy sfida për ekipin, në prag të eliminatoreve që do të zhvillohen muajin e ardhshëm në Shqipëri, ku Kombëtarja jonë është shortuar në grupin 7 së bashku me Francën, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Eliminatoret e Europianit – Eliminatoret janë pas një muaji ekzaktësisht, me datë 10, 13, 16 nëntor do të jenë tre ndeshjet eliminatore të cilat do të zhvillohen në Shqipëri, grupi jonë, ku do përballemi me Francën, Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Rëndësia e këtyre ndeshjeve – Ajo që më intereson jo vetëm mua, por edhe Federatës Shqiptare të Futbollit dhe opinionit sportiv shqiptar është që të bëjmë një Kombëtare sa më dinjitoze, sa më të fortë dhe normalisht qëllimi kryesor është për të evidentuar elemente që do të jenë nesër baza e Kombëtares së madhe. Sikurse do të kërkojmë patjetër rezultatin, sepse në fund të fundit, futbolli ka edhe rezultat e duhet të kemi egon, dëshirën, impulsin për të kërkuar rezultat, krahas elementeve.
Lojtarët e grumbulluar – Kemi të miksuar. Kemi lojtarë të Shqipërisë, të cilët luajnë në kampionat Shqiptar, sikurse kemi edhe një pjesë jo të vogël të lojtarëve shqiptarë që luajnë jashtë trojeve shqiptare, në shtete të ndryshme. Ka të Italisë, të Greqisë, Gjermanisë, Zvicrës, pra nga vende të ndryshme. Gjithsesi, kemi qenë deri në këto momente në fazën e përzgjedhjes së grupit kryesor që do të përfaqësojë Kombëtaren e 19-vjeçarëve në këto eliminatore.