Kombëtarja e Shqipërisë U-19 e drejtuar nga trajneri shkodran, Armando Cungu është mundur nga kombëtarja e Francës. Ndeshja e luajtur pasditen e sotme në stadiumin “Egnatia Arena” të Rrogozhinës për llogari të Grupit të 7-të i Eliminatoreve të Evropianit të Nën-19-vjeçarëve është mbyllur me rezultatin 4 me 0 në favor të Francës.
Sfida në fjalë ka filluar mirë për kuqezinjtë tanë teksa kanë arritur të shënojnë në portën fr5anceze, por goli është anoluar nga arbitri anësor pasi përpara se të shënohej goli, topi ka dalë jashtë vijave kufizuese të vijës fundore.
Më pas janë miqtë nga Franca, që nisin serinë e golave. Virzhinius është i pari që shënon për Francën në minutën e 28-të. 7 minuta më pas, Matis Abline dyfishon shifrat për francezët.
Dhe 5 minuta para fundit të pjesës së parë, është i njëjti autor që shënon golin e tij të dytë dhe të 3-tin për Francën.
Pjesa e dytë vazhdon të dominohet nga kombëtarja franceze, por ajo që ia vlen të theksohet ka të bëjë për shtatlartin e mbrojtjes kuqezi, 19 vjeçarin, Marçelino Preka, i cili për hirë të së vertetës ishte ndër më të mirët në fushën e lojës. Një futbollist ky, që me të dhënat fizike dhe teknike që disponon, specialistët e futbollit e konsiderojnë një e ardhme e futbollit shqiptar.
Duke vijuar me kronikën e lojës, kombëtarja franceze arrin të shënojë edhe golin e katërt në minutën e 60-të pas një 11-metërshi të ekzekutuar me saktësi nga Tshaunas. 4 me 0 për Francën në përfundim të kësaj ndeshje, ku me tre pikët e marra, Franca është në krye të grupit me 3 pikë, po aq ka edhe Serbia. Ndeshja e ardhshme për kombëtaren e Shqipërisë do të luhet me kombëtaren e Serbisë.