Kalendari i Kampionatit Kombëtar të Superligës në volejboll për femra për këtë fundjavë ka rezervuar përballjen në mes Partizanit dhe Vllaznisë. Një ndeshje e cila konsiderohet si më e rëndësishmja e javës së gjashtë, pasi në këtë duel do të jenë, Partizani kampion kombëtar në fuqi dhe Vllaznia, e cila falë organizimit të shoqatës së volejbollit Vllaznia për femra, këtë sezon sportiv është në pozitat e një skuadre pretendente për titull. Në prag të kësaj ndeshje, nga kampi kuqeblu, kanë dalë në konferencë shtypi, trajneri Dorian Tafa, volejbollistja Lorena Picaku dhe trajnerja e përgatitjes atletike, Ankela Cara.