Vllaznia-Studenti, ishte ndeshja e volejbollit për Superligën e meshkujve e zhvilluar në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës. Skuadra mike, e cila është e fundit në tabelën e klasifikimit ka surprizuar duke mundur Vllazninë në shtëpi me rezultatin 1 me 3.
Duke parë pozitat në tabelën e klasifikimit, duket se Vllaznia e mori disi më lehtë takimin. Duke lëshuar pikë pas pike, Vllaznia e shikon veten në disavantazh, por kurrësesi që Studenti do ta mbyllte me fitore. Miqtë nga Tirana të drejtuar nga trajneri i tyre Dorian Joanidhi arrijnë ta administrojnë mjaft mirë mbylljen e këtij seti të parë duke e fituar me shifrat 19-25.
Rezultati barazohet përkohësisht me sete 1 me 1 kur Vllaznia fiton setin e dytë 25-16. Loja e mirë e kuqebluve vijon edhe në pikët e para të setit të tretë duke dhënë sinjalet e fitores së këtij dhe më pas të shkojë drejt fitores së krejt takimit. Por, në radhët e kuqebluve shfaqen gabime të shumta. Trajneri Kalaja bën ndërhyrjet duke freskuar herë pas herë formacionin, por Studenti me një frymë grupi për tu vlerësuar e mbyllë edhe setin e tretë me fitore, këtë radhë me shifrat 22-25.
Ndërkohë, seti i katërt është më i bukuri i të gjithë takimit duke risjellë në vemendje ndeshjen e para dy javëve në “Qazim Dervishi”, kur Vllaznia fitonte setin e katërt me pikët shtesë 33 me 31. Barazimet e pikëve vijojnë deri tek pika e 30-të e shënuar nga Studenti që ndaj 28-të Vllaznisë e fiton këtë setë 28-30.
Në këtë mënyrë, Studenti del fitues i të gjithë ndeshjes me rezultatin 1 me 3. Një ndeshje kjo për t’u harruar për kampin kuqeblu, ku me të drejtë, trajneri shkodran, Artan Kalaja kritikon ashpër skuadrën e tij duke e konsideruar ndeshjen më të dobët të këtij kampionati. Por, gjithësesi, besimi i trajnerit Kalaja është se në ditët në vazhdim, pasi të analizohen edhe problemet e shfaqura në këtë ndeshje, Vllaznia do të kthehet tek fitoret duke synuar të futet në zonën e katër skuadrave më të mira të fazës Play-Off.