Për kapitenin e kuqebluve, Erdenis Gurishta, Vllaznia i ka mundësitë luftojë në dy fronte, Kupë dhe Kampionat. Megjithatë, gjatë analizës që i bën skuadrës së tij, Gurishta, thotë se skuadra e tij e ka cilësinë e duhur, por problem qëndron tek vazhdimësia, mosqëndrueshmëria nga njëra ndeshje tek tjetra. “Ndeshja e fundit me Kastriotin ishte e rëndësishme për tu rikthyer te rezultatet pozitive. Por duhet vazhdimësia. Sepse kemi cilësi dhe kualitet, por nuk kemi vazhdimësi. Ndeshjen e parë e kemi fituar 5-3 me Laçin dhe të gjithë thanë që kjo Vllazni është e pandalshme. Pas asaj fitoreje morëm disa barazime. Pastaj erdhi prapë ajo fitorja me 6 gola me Dinamon dhe u kthye entuziazmi. Ai pushimi i Kombëtareve na bëri mirë, pasi patëm kohë të mësonim nga gabimet. Por mund të them që Vllaznia e ka kualitetin të luftojë në të dy frontet, në kampionat dhe në Kupë. Kemi shumë kualitet dhe cilësi që 10 pikë diferencë me Tiranën ti zbehim. Apeli im do të ishte që nuk mjafton cilësia dhe kualiteti, duhet qendrueshmëria. Në këto 9 javë këtë stabilitet po e tregon vetëm Tirana”, u shpreh Gurishta.
Më tej, gjatë prononcimit të dhënë për nga Shkodra, drejtpërdrejtë për emisionin sportiv të Ora TV, numri 2 i Vllaznisë, u pyet edhe për mundësinë e thirrjes së tij në kombëtaren, për të cilën tha: “Kombëtarja është diçka pozitive dhe e mirë po të grumbullojë ndonjë lojtar nga Superiorja për ndonjë ndeshje miqësore apo të lehtë. Kjo pastaj është një motivim më i madh për të gjithë të tjerët që të japin maksimumin.”