Prej disa ndeshjes nuk ka qënë lojtar titullar i formacionit kuqeblu, por në sfidën e së mërkurës me Partizanin, u lëshua në fushën e lojës në momentin e daljes me karton të kuq të mesfushorit Ardit Krymi. Dhe, nga sa u pa e bëri mirë detyrën e tij duke kontribuar në mbajtjen e avantazhit dhe të fitores së Vllaznisë, edhe pse ishte me një fubollist më pak në lojë.
Është kjo arsyeja që tekniku Brdariç i ka besuar një vend titullari edhe në sfidën e së dieles ndaj Skënderbeut të Korçës. Madje, Heriç ishte i përzgjedhuri i drejtuesve kuqeblu edhe në konferencën e shtypit dhënë mesditen e sotme në mjediset e stadiumit “Loro Boriçi”. Në prononcimin e tij për mediat, ai foli për komoditetin që atë e rrethon në Shkodër, respektin nga komuniteti, por edhe ngrohtësinë që ka gjetur në skuadrën kuqeblu.
“Jam shumë i kënaqur pasi jam duke e shijuar shumë Shqipërinë. Njerëzit në Shkodër janë shumë të sjellshëm dhe më japin shumë mbështetje. Pritshmëritë e mia janë gjithmonë të larta dhe kam qëllim që të tregoj se jam gati për të luajtur. Nesër kur të jetë mundësia për të luajtur, unë do të jap më të mirën time”, tha Heriç.
Ndërsa, duke folur për ballafaqimin e nesërm, ai tha:” Çdo ndeshje është e rëndësishme dhe duhet të japim maksimumin tonë në këtë ndeshje. Do të jetë një ndeshje e luftuar dhe ne duhet të bëjmë më të mirën tonë në mënyrë që të festojmë më pas me tifozët tanë”.
Sa i takon së ardhmes së tij tek Vllaznia, tha se për momentin është i përqendruar te Vllaznia dhe jo se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, dhe se kërkon të japë maksimumin e tij këtu.