Sunday, November 24, 2024

Vllaznia-Kukësi, sot dita e Kristi Qarrit, Mungon Zogoviç, 21 vjeçari titullar me kuqeblutë

Lexo

Dje ka mbushur 21 vjeç, dhe skuadra kuqeblu ka festuar ditëlindjen e portjerit të dytë të Vllaznisë, Kristi Qarri. Ndërkohë, sot, Qarri do të jetë në fushë nga minuta e parë në formacionin e Vllaznisë. Gjë, që në fakt, as Qarri dhe sa skuadra nuk e parashikonte, sepse gjatë të gjithë javës ishte Dejan Zogoviç që përgatitej për një gjë të tillë.

Por, një gjendje shëndetësore që e shqetësonte edhe më herët ka bërë që stafi mjekësor të vendosë që malazezi të mos jetë sot në fushë. Në këtë mënyrë, automatikisht, portjeri i dytë Qarri ka marrë besimin e stafit teknik.

21 vjeçari ka kohë që është pjesë e Vllaznisë, titullar dhe kampion me Akademinë U-19 dhe më pas edhe me Vllazninë U-21, ndërkohë që është sistematikisht pjesë e të gjitha kombëtareve të moshave. Në të gjitha sa thamë më sipër ka marrë vlerësime maksimale, ashtu siç ka marrë edhe në momentet e aktivizimit me ekipin e parë në ndeshjet e Kupës së Shqipërisë.

Megjithatë, debutimi i sotëm nga minuta e parë në një sfidë kaq të fortë dhe të rëndësishme siç është kjo me Kukësin, nuk do të jetë e lehtë për Qarrin. Stafi teknik, dhe kryesisht trajneri i portjerëve Ideal Lekiqi, gjatë të gjithë ditës së sotme i ka qëndruar pranë portjerit Qarri duke i dhënë moralin e duhur, sepse nga aspektin e përgatitjes janë shumë të bindur që do t’ia dalë me sukses.

Në fakt, ai ka kohë që pret momentin e tij, dhe në një farë mënyrë, ky i sotmi është i duhuri. Mirë do të ishte në një ballafaqim të një niveli disi më të lehtë, por, në sfida të tilla motivimi dhe mundësia për të marrë vemendjen e duhur është idealja. Të mos shkojmë shumë larg, kur në dy javët e fundit, një problem të tillë me portjerin e parë e kishte edhe Dinamo, por besimi që iu dha 17 vjeçarit, Simon Simoni, doli me shumë sukses, sepse i riu nga Shënkolli, jo vetëm që e bëri jashtëzakonisht mirë punën e tij, por në të njëjtën kohë, mori vlerësimin maksimal nga specialistët e futbollit.

Një gjë të tillë, ia urojmë sot edhe Kristi Qarrit, që duke e bërë mirë punën e tij në mbrojtjen e katërkëndorit kuqeblu, të ndikojë në marrjen e një rezultati pozitiv nga Vllaznia në përballjen me Kukësin. Dhe, më pas, pse jo, skuadra të festojë gjatë për të dy gëzimet në një ditë, ditëlindjen dhe debutimin e Qarrit, si dhe fitoren tre pikëshe.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img