Monday, November 25, 2024

Parregullsitë në zgjedhjen e Shoqatës Rajonale-Procedohen kryetari dhe anëtari i KF Erzeni, akuzohen se shpërdoruan kompetencat

Lexo

Policia e Krimit Ekonomik ka proceduar penalisht Marius Shahinin dhe Fundim Dollakun, kryetarin dhe anëtarin e klubit Erzeni, pasi akuzohen se shpërdoruan detyrën dhe kompetencat. Shahini është rikthyer në detyrë në bashkinë Shijak, edhe pse ka qenë njëherë më parë i arrestuar për shpërdorim detyre në pozicionin e Drejtorit të IMT-së, në këtë bashki.

Sipas specialistëve të Krimit Ekonomik në Policinë e Durrësit, ata akuzohen për veprat penale “Mashtrimi”, “Shpërdorimi i kompetencave” dhe “Shpërdorimi i detyrës”. “Për këta shtetas është bërë kallëzim nga ana e Drejtorisë së Shumë Sporteve në Bashkinë Shijak, se dyshohet që shtetasit M. Sh. dhe F. D., në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë shpërdoruar detyrën dhe kompetencat, duke përfaqësuar shoqatën e Klubit të Futbollit, në mbledhje dhe votime, pa lejen e drejtuesve të bashkisë Shijak”.

Procedimi nisi pas kallëzimit të bërë nga vetë klubi. Sipas një dokumenti që mban firmën e Altion Keçit, drejtorit të klubit shumësportësh Erzeni, kallëzimi është bërë me argumentin e shpërdorimit të detyrës nga Fundim Dallaku. Sipas akuzës, ky i fundit ka përfaqësuar në mënyrë të jashtëligjshme klubin nga Shijaku në Asamblenë e Shoqatës Rajonale të Futbollit Durrës, ku u votua për konfirmimin e kryetarit, teksa me kërkesë jashtë rendit të ditës u përcaktuan edhe tre delegatët që do të përfaqësojnë këtë organ në Asamblenë Zgjedhore të Federatës së Futbollit.

Sipas Keçit, i akuzuari ishte delegat në punime duke përfaqësuar Erzenin, i paautorizuar nga drejtori i klubit, asambleja apo nga kryetari i Bashkisë. Edhe pse nuk kishte asnjë tagër ligjor për të qenë pjesë e Asamblesë së Shoqatës Rajonale Durrës, Fundim Dallaku jo vetëm që ishte i pranishëm, por edhe u përcaktua në konflikt interesi edhe si një prej tre delegatëve që do të votojnë për zgjedhjen e presidentit të FSHF.

Përpos tij, delegatë me të drejtë vote u zgjodhën edhe trajneri i Kombëtares së 16-vjeçarëve, Agron Kërçova dhe kreu i Shoqatës Rajonale, Mikel Furxhi, i cili ka qenë edhe i punësuar në federatë. Paracaktimi i votave në Asamblenë e Shoqatës së Durrësit është sinjal alarmi për skemën e trukimit të krijuar përpara zgjedhjes së kreut të FSHF-së.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img