Konferenca për media/ Trajneri Maran & Gjimshiti: Përqendrim maksimal përballë San Marinos, të bëjmë ndeshjen më të mirë të mundshme

Lexo

- Reklamë -spot_img

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, dhe kapiteni Berat Gjimshiti dolën në konferencën zyrtare për mediat në prag të ndeshjes me San Marinon, që do të luhet nesër në “San Marino Stadium”, në orën 20:45.

Tekniku kuqezi, Rolando Maran theksoi se Shqipëria duhet ta marrë me shumë seriozitet përballjen me San Marinon, duke ruajtur përqendrimin, identitetin dhe ekuilibrin taktik për të menaxhuar siç duhet ndeshjen. Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e rotacionit dhe menaxhimit të energjive në një seri prej katër ndeshjesh, ndërsa synimi i skuadrës mbetet të marrë maksimumin dhe të luftojë për vendin e parë në grup.

Çfarë do të bëjmë për ta zgjidhur sa më shpejt ndeshjen nesër ndaj San Marinos? – Sigurisht që do të duhet të përballemi me qasjen e duhur në ndeshje të tilla. Këto janë ndeshje që të ndihmojnë për të ndërtuar mentalitetin e një skuadre. Duhet ta marrim shumë seriozisht këtë ndeshje, edhe me një vëmendje dhe një durim të veçantë specifikisht, sepse në këtë mënyrë di edhe se çfarë duhet të bësh. Sigurisht kemi shumë respekt për San Marinon, por kjo na jep edhe motivacion për të marrë masat e duhura për situatat që do të krijohen ndaj ndeshjes.

Kush do të jetë qasja për ta zgjidhur ndeshjen nesër ndaj San Marinos? – E rëndësishme është që të bëjmë ndeshjen më të mirë të mundshme dhe atë se çfarë kemi përgatitur deri në mëngjesin e sotëm në stërvitjen zyrtare ta bëjmë mirë. Është e rëndësishme që në këtë rast të lexojmë situata të caktuara që do të ketë ndeshja, të bëjmë zgjidhjet më të mira në varësi edhe se si do të luajë kundërshtari. Duhet të kemi identitet, por në varësi të situatave që do të krijohen mund të përdorim edhe vertikalizimet. Mund të funksionojnë të dyja gjërat.

Çfarë doni të shihni ndryshe ndaj San Marinos? – Siç e thashë edhe më herët, e rëndësishme për rritjen e një skuadre është mentaliteti, edhe ne sigurisht që duhet të hyjmë në fushë pavarësisht nga kundërshtari për të bërë atë që dimë të bëjmë. Nuk duhet të kënaqemi thjesht nga disa elementë të caktuar. Sigurisht duhen krijuar edhe kushtet ideale dhe të merret çdo gjë me shumë seriozitet. E rëndësishme është rritja e skuadrës në këtë rast.

E keni vendosur formacionin? – Praktikisht e kam një ide se kush do të jetë formacioni titullar, edhe pse le të themi që kemi rreth 24 orë para se të luajmë ndeshjen. Jam i bindur që të gjithë lojtarët do të jenë të gatshëm për të bërë ndeshjen më të mirë të mundshme. Edhe lojtarët nuk e dinë ende formacionin titullar dhe do të ishte mungesë respekti që të merrej vesh më parë nga media. Orët e fundit do të pres për të bërë edhe matjet e fundit nga aspekti fizik.

Sa do të ndikojë menaxhimi i energjive në ndeshjen nesër, duke marrë parasysh që ndeshja e radhës është ndaj Finlandës? – Sigurisht që është diçka ndryshe edhe fakti që luajmë 4 ndeshje radhazi. Në momentin që kam bërë gati listën e lojtarëve të grumbulluar, kam marrë parasysh si kushtet fizike, po ashtu edhe karakteristikat e lojtarëve. Mund të ketë ndryshime, por jo të fizionomisë të skuadrës. Është e rëndësishme që ne të rritemi në vlerë. Jam shumë i bindur që kushdo të luajë, do të jetë i motivuar për të bërë më të mirën. Të 28 lojtarët e grumbulluar, kanë impenjimin maksimal me Kombëtaren. Mund të ketë ndonjë ndryshim, sepse e favorizojnë kushtet, por jo në fizionominë e skuadrës.

Çfarë prisni nga mesfushorët dhe sulmuesit për të ruajtur ekuilibrin taktik, për të mos u kapur në kundërsulm, për të mos u surprizuar? – Kjo do të ishte një gjë që do të na e vështirësonte procesin. Kur ti ke posedim të topit, sidomos ndaj një skuadre që do të ketë tendencën për t’u mbyllur në mbrojtje, ke hapësirë për të spostuar mbrojtjen kundërshtare, të krijosh hapësira, në mënyrë që të shmangësh edhe ndonjë gabim, që mund të dërgojë në një rezultat jo të mirë.

Kush do të jetë nesër nga miqtë apo familjarët tuaj në stadium? – Në fakt i kam ftuar shumicën në Tiranë. Do të jenë disa persona, por nuk është i rëndësishëm numri. Jemi të përqendruar te ndeshja, sidomos për faktin që do të ketë shumë tifozë shqiptarë në stadium. Jemi përgjegjës për t’i bërë krenarë dhe për të bërë më të mirën e mundshme.

Kapiteni i Kombëtares, Berat Gjimshiti, theksoi në konferencën për media se përballja me San Marinon nuk duhet konsideruar e thjeshtë, duke kërkuar përqendrim maksimal dhe mentalitetin e duhur nga skuadra. Gjimshiti u shpreh se Shqipëria synon vendin e parë në grup dhe se për ta arritur këtë duhet që i gjithë grupi të luajë së bashku, me agresivitet, cilësi dhe angazhim maksimal për 90 minuta

San Marino? – Është e vërtetë ajo që thua, nuk është e thjeshtë, por besoj që përqëndrimi duhet të jetë në çdo ndeshje 100%, por edhe më shumë në këto ndeshje që të gjithë presin që Kombëtarja jonë të ketë kontrollin e lojës. Shumica besojnë që do të jetë një ndeshje e thjeshtë, por nuk do të jetë ashtu aspak. Varet nga ne, a do ta bëjmë të thjeshtë apo jo. Përqëndrimi është 100%.

Si kapiten, ku mendon se duhet të përmirësohet më shumë Kombëtarja jonë? – Sigurisht nuk ishte një periudhë e mirë, por u kthyem te fitorja dhe te ndeshjet që janë shumë të rëndësishme. Nations League na jep një opsion për Europianin. Besoj që hapi i parë ishte te ndeshja e fundit që zhvilluam një lojë të mirë dhe fituam me meritë. Sigurisht synimet janë të forta. Duam vendin e parë dhe ajo që duhet të përmirësohet është i gjithë grupi, të luajmë bashkë dhe të japim gjithçka në fushë për 90 minuta. Në këtë nivel, nëse gabon shumë shpejt ndryshon loja dhe duhet të jesh i fokusuar.

Çfarë duhet të bëjmë që të mos surprizohemi nesër nga San Marino? – Duhet të futemi në fushë me mentalitetin e duhur. Të jemi gati 100%. Varet edhe se si do të luajë San Marino, por edhe mënyra se si do të futemi ne në fushë, me agresivitetin dhe kualitetin që kemi. Besoj që mund t’ia dalim të gjithë së bashku. Të gjithë lojtarët që do të jenë në fushë dhe nga pankina janë shumë të rëndësishëm nesër. Kjo duhet të jetë forca jonë.

Kush të kanë kërkuar më shumë bileta për ndeshjen nesër, shqiptarët apo italianët? – Në këtë rast më shumë është një shoku im romun që kemi luajtur bashkë në Itali dhe ai më ka pyetur për biletë.

I ke studiuar sulmuesit e San Marinos, çfarë veçantie mund të kenë si repart? – E njoh sulmuesin, e ka emrin Nanni, kam luajtur kundër. Është fizikisht i madh, pothuajse 1.90 si unë, e mban shumë mirë topin. Në Itali kur nuk ke ndeshje brenda javës bën ndonjë miqësore me ndonjë skuadër të Serisë C apo Serisë D dhe gjithmonë sulmuesit janë ato që kanë më shumë kualitet, apo numri 10 dhe nuk është e thjeshtë. Kanë cilësi dhe kualitet, duhet të jesh 100% i fokusuar sepse mund të ndodhë gjithçka në futboll.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img