Kukësi rehabiliton veten në transfertën e Rrogozhinës, ndërsa me dy gola, një për çdo pjesë loje, arrin të marrë një trepikësh të rëndësishëm për ecurinë e kampionatit. Tashmë në vendin e tretë me 34 pikë, tre pikë larg nga Laçi i vendit të dytë dhe nëntë nga Tirana kryesuese, verilindorët pretendojnë edhe më shumë. Aq më tepër që kampionati është i vetmi trofe për të cilin luftojnë. Egnatia ka rënduar situatën e vet pas kësaj humbje, ndonëse e ka nisur me vrull takimin, ndërsa që në aksionin e parë është e rrezikshme me Pedro Augusto, por Tafas ka pritur.
Goditja e parë për Kukësin vjen në të 10’, me anë të Shkurtajt, që me kokë godet mbi tra. Në të 17’, Kukësi ka fituar një goditje dënimi në pozicion diagonal me portën e Pujas. Shënjestron Taipi, por përsëri pa shënjestrën e duhur. Goli paralajmërohet nga Vasil Shkurtaj, që në të 27’, në ecje e sipër, nga rreth 20 metra, provon reflekset e Pujas. Dhe tre minuta më pas vjen një aksion i rrjedhshëm i verilindorëve. Basha ka krosuar nga e djathta e sulmit verilindor, Musta i ka hapur rrugën topit dhe Shqiprim Taipi është i saktë në goditje.
Kukësi mund të kishte gjetur dhe golin e dytë në mbarim të fraksionit të parë, por Shkurtaj në të 36’ gabon në goditje. Pjesa e dytë përsëri ka nisur me vendësit në sulm, ndërsa në të 47’ Tafas ka grushtuar gjuajtjen e Pedro Augustos. E në fakt Kukësi e gjen dhe golin e dytë, që në të 55’ mban firmën e Ndrecës, i cili ka realizuar në të majtë të Pujës duke shfrytëzuar pasimin e Mustës.
Pedro Augusto dhe Imeri, në të 65’ dhe në të 69’, janë të pasaktë në gjuajtje, sikurse dhe Basha për Kukësin në të 69’. Në vërshëllimën e fundit të Latës, Kukësi feston, kurse Egnatia vijon të mbetet në zonën e ftohtë të rënies nga Kategoria Superiore.