Kuqeblutë e Vllaznisë do të udhëtojnë në Korçë për transfertën e javës së 22-të me mungesa në përbërjen e tyre. Kartonat e marrë në sfidën e kaluar ndaj Partizanit kanë bërë që trajneri Thomas Brdariç dhe mbrojtësi Ersin Hakaj të jenë të skualifikuar për ndeshjen e radhës.
Por, përpos këtyre mungesave për efekt kartonash, Vllaznisë do t’i mungojë edhe kapiteni Erdenis Gurishta, i cili si rezultat i një dëmtimi në ndeshjen e kaluar me Partizanin u detyrua të lërë fushën e lojës përpara kohe. Sipas stafit mjekësor, për rikuperimin e kapitenit, minimalisht duhet pritur një periudhë dhjetë ditore, çka do të thotë se përpos ndeshjes së kësaj jave, Gurishta humb edhe ndeshjen e ardhshme. Ndërkohë, në infermieri vazhdon të jetë prej disa javës edhe sulmuesi vlonjat Ardit Hoxhaj duke bërë që të humb shumë ndeshje të këtij sezoni.
Megjithatë, në kampin kuqeblu ka optimizëm për ta kaluar me sukses ndeshjen e së premtes, sfidë e cila pritet të jetë shumë e dyluftuar, jo vetem se Skënderbeu luan në fushën e tij, por edhe për pozitin shumë të vështirë që ka në vendin e fundit të tabelës së klasifikimit.
Është kjo arsyeja, që me një Vllazni në formën e saj më të mirë sportive, duke synuar në marrjen e tre pikëshit të radhës kërkon të shkurtojë diferencen me kryesuesen Tirana, përballë një Skënderbeu që kërkon medoemos fitoren, pritet një superduel në fushën e lojës.
Bazuar në kalendarin e publikuar nga FSHF, ndeshja Skënderbeu-Vllaznia e planifikuar të fillojë në orën 16:45, është e para që hap Javën e 22-të të Superiores së futbollit shqiptar. Pak më vonë, po të premten, në orën 19:45 në stadiumin “Air Albania” do të luhet derbi i kryeqytetit, Dinamo-Partizani.
Ndërkohë, Java e 22-të e Kategorisë Abissnet Superiore vijon të shtunën me tre ndeshjet e tjera. Dueli i mbijetesës Egnatia-Kastrioti do të luhet në stadiumin “Arena Egnatia” të Rrogozhinës që prej orës 13:45. Ndërkohë, dy çiftet e tjera, kryendeshja e javës, Tirana-Laçi, përballja e vendit të parë me të dytin, takim që luhet në “Air Albania” dhe Kukësi-Teuta në stadiumin “Loro Boriçi”, luhen në të njëjtën orë, atë 16:45.