Ashtu siç e paralajmëroi Veriu Sport, me ftesë të presidentit të KF Shiroka, Ergi Axhani, trajneri italo-argjentinas Matias Tatangelo ka mbërritur në Shkodër duke filluar menjëherë punën me skuadrën. Në pamjet që video shoqëron shkrimin duket qartë fragmente nga seanca stërvitore e Shirokës, e cila po punon me përkushtim për të marrë formën e duhur me objektivin për të rikuperuar pikët e lëna, ku në pesë javët e para Shiroka ka vetëm 3 të të tilla.

“WELCOME HOME MISTER – Matias Tatangelo rikthehet te Shiroka!
Disa rikthime kanë një domethënie të veçantë, sepse aty ku ke lënë gjurmë, gjithmonë gjen një arsye për t’u kthyer. Sot, Mister Matias Tatangelo rikthehet në shtëpinë e tij, te Shiroka, për të nisur së bashku një kapitull të ri plot besim, pasion dhe ambicie. Me përkushtim dhe punë të palodhur, synimi është të ecim përpara së bashku drejt objektivave të klubit. Mirë se u riktheve në shtëpi, Mister! Të urojmë shumë suksese në këtë rrugëtim me Shirokën! FORCA SHIROKA! “, shkruhet në postimin e KF Shiroka.
Matias Tatangelo ka qënë edhe më herët trajner i Shirokës, në një periudhë kur rezultatet e tij ishin shumë të mira, madje u bënë shtysë që në dresë të tij të mbërrinin oferta joshëse brenda dhe jashtë Shqipërisë. Raportet e mira që ai ka ne presidentin Ergi Axhani dhe menaxherin Ervis Domnori kanë ndikuar në këtë rikthim në Shkodër me objektivin e normalizimit të situatës të KF Shirokës dhe kthimit në ditët e saj më të mira.


