Vllaznia-Dinamo, do të përballen të enjten në stadiumin “Loro Boriçi” për javën e 23-të të Abissnet Superiore. Sfida që është planifikuar të fillojë në orën 16:45, parashikohet të jetë shumë e dyluftuar, me kuqeblutë e vendit të katërt në renditje që kërkojnë pikët maksimale dhe dinamovitët, të cilët edhe pse skuadrën e kanë me plot kualitete, janë të tretët nga fundi i tabelës së klasifikimit. Për ish kapitenin e Vllaznisë dhe sot trajnerin e Akademisë Basania, Gilman Lika, Vllaznia e ka detyrim ta fitojë ndeshjen, ndërsa dinamovitët mund të luajnë edhe për barazim.Ndër të tjera, gjatë prononcimit të tij për Veriu Sport, Lika ngre si shqetësim shumë të madh gjykimet që sipas tij po e dëmtojnë sistematikisht Vllazninë, madje ai e krahason këtë situatë me atë të kohës kur ai luante për kuqeblutë dhe Vllaznia ishte pa president.
Ish futbollisti dhe ish kapiteni i Vllaznisë, Gilman Lika, një parashikim për pragndeshjen e ditës se enjte Vllaznia-Dinamo? Mendoj që do të jetë një ndeshje shumë e bukur sepse janë dy ekipe që i kanë dhënë shumë ngjyra Kampionatit shqiptar, por këtë vit janë me objektiva të ndryshme. Vllaznia ka pasur objektiv titullin kampion dhe Kupën e Shqipërisë, ndërsa Dinamo si fillim u nisën për Kupat e Europës, por gjatë rrugës u bë vetëm mbijetesa. Gjithsesi do të jetë një ndeshje shumë e bukur sepse Vllaznia do të rikthehet te rezultatet pozitive, ndërsa Dinamo do ta ketë si një finale, duke ditur pozicionin që ka në tabelën e renditjes. Vllaznia e ka për detyrë ta fitojë ndeshjen, ndërsa Dinamo do të jetë shumë i kujdesshme dhe besoj që do të luajnë për një barazim.
Vllaznia vjen pas një barazimi me shumë diskutime në Korçë në lidhje me gjykimin, edhe për ndeshjet e mëparshme. Mendoni që gjykimet po e dëmtojnë Vllazninë?
Jo thjesht mendoj, por kjo gjë është e vërtetuar. Kjo më kujton periudhën kur unë isha në fushë dhe mendoj që është e njejta situatë kur ne ishim pa president dhe me Bashkinë. Atëherë kam kërkuar edhe nga drejtuesit e klubit që të bëjnë një video me rastet kur arbitri ka ndikuar direkt në ndeshje. Ky vit me atë vit është pothuajse e njejta situatë. Ka pasur rreth 8-9 ndeshje në atë kohë, ku arbitri ndikoi në rezultat, ashtu si sot. Kjo gjë e ka vendosur në shumë rrezik objektivat e Vllaznisë.
Ndërkohë, shumë analistë të sportit diskutojnë që Vllaznia nuk duhet të jetë e përqendruar te kjo gjë, por të përqendrohet në lojë dhe drejtuesit e klubit të merren me këtë problem.
Padiskutim që kjo gjë ndikon te futbollistët sepse po bën shumë bujë. Është e vërtetë që futbollistët duhet të jenë të fokusuar te loja dhe drejtuesit të zgjidhin pjesën tjetër. Duhet të ngrihet zëri më shumë sepse po vendosen në rrezik objektivat e sezonit.
Pavarësisht diferencave, mendoni që Vllaznia duhet të vazhdojë të pretendojë për titull?
Të jem i sinqertë, është pak e vështirë, duke ditur distancën, por edhe sepse para janë tre ekipe dhe jo vetëm një. Por problemi më i madh është që duhet të rregullohet loja dhe të rikthehen te rezultatet pozitive. Duhen shumë fitore rresht për t’u rikthyer te objektivi për titullin kampion. Të jem i sinqertë, përpos rasteve kur arbitri ka ndikuar në rezultat, ka pasur raste ku edhe ne kemi pasur problematikat tona, ku në shumë ndeshje kemi pasur 6-7 raste dhe nuk kemi arritur të shënojmë.
Po për sa i përket Kupave të Europës?
Ky është objektivi minimal. Do të ishte zhgënjim shumë i madh në qoftë se do dalim nga ky sezon pa asgjë, me këtë ekip që kemi këtë vit.
Ku mund të jetë më afër Europës, Vllaznia, për Kampionat apo për Kupë?
Besoj që në të dyja është afër, sepse edhe vendi i tretë qendron në Kampionat, por edhe në Kupën e Shqipërisë në gjysmëfinale jemi, kshtuqë te të dy kompeticionet jemi shumë afër Europës.
Lika faleminderit!
Faleminderi ju!