Kampionati Kombëtar i volejbollit për femra, kategoria Superiore, ka luajtur mbrëmjen e së premtes ndeshjet e Javës së 12-të. Skuadra kuqeblu e drejtuar nga trajneri Dorian Tafa ishte mysafire në Fier duke u ndeshur me skuadrën vendase, Apolonia. Një ndeshje kjo e dominuar tërësisht nga volejbollistet shkodrane, të cilat për asnjë moment nuk e vunë në diskutim fitoren e takimit.
17-25 në favor të Vllaznisë ka përfunduar seti i parë, ndërsa i dyti 18-25 po në favor të Vllaznisë, e cila duke e çuar në 0-2 avantazhin e seteve e ka më të lehtë për të fituar ndeshjen.
Kjo shikohet qartë, kur përballë një Vllaznie potente, në setin e tretë volejbollistet fierake dorëzohen totalisht duke humbur me shifrat e thella 13-25 dhe të gjithë ndeshjen me rezultatin 0-3.
Po mbrëmjen e djeshme, Tirana mundi Partizanin me rezultatin 3-0, në një derbi kryeqytetas shumë të dyluftuar. Fitore kjo e skuadrës bardheblu, e cila e barazon me pikë me Skënderbeun në krye të tabelës së klasifikimit me një ndeshje më pak për korçaret.
Në pritje të dy ndeshjeve të tjera të javës së 12-të, Lushnja-Barleti dhe Skënderbeu-Flamurtari, Vllaznia renditet në vendin e katërt me 23 pikë.