Vllaznia në volejboll për meshkuj ka siguruar konkurimin në fazën finale Play-Off. Kuqeblutë e drejtuar nga trajneri Artan Kalaja luajtën mbrëmjen e së shtunës në transfertë me Studentin dhe fituan me rezultatin e pastër 0 me 3.
Ndeshja në fjalë ishte për llogari të javës së 17-të të Kampionatit Kombëtar të Superligës së Volejbollit për meshkuj, rezultati i së cilës ndikonte në renditjen e skuadrave në tabelën e klasifikimit brenda zonës së Play-Off-it.
Volejbollistët kuqeblu ishin dominues gjatë të gjithë ndeshjes. Epërsia e skuadrës shkodrane filloi që në setin e parë, ku megjithë përpjekjet e vendasve për të marrë kryesimin e këtij seti, është Vllaznia, e cila tregohet më e saktë në veprimet e saj duke e mbyllur atë me rezultatin 20-25.
Në vijim, edhe fillimi i setit të dytë ka një rivalitet në pikët e para, por më pas është Vllaznia e cila që shënon disa pikë radhazi duke dalë fituese edhe në setin e dytë me rezultatin 18-25.
Me avantazhin e dy seteve, Vllaznia e ka më të lehtë të menaxhojë lojën e setit të tretë, dhe duke përfituar edhe nga një rënie e theksuar morale e skuadrës vendase, del fituese edhe e setit të tretë, këtë radhë me avantazhin më të thelllë, 15-25.
Në këtë mënyrë, Vllaznia fiton të gjithë ndeshjen me rezultatin e përgjithshëm të seteve 0 me 3 duke siguruar përfundimisht, një javë përpara nbylljes së fazës së dytë përfshirjen në zonën e fazës finale, Pla-Off.
Një objektiv ky i premtuar që në start të sezonit nga ana e trajnerit Artan Kalaja që edhe pse problemet organizative ishin jo të pakta gjatë kësaj pjese të parë të sezonit, realizohet me sukses.
Megjithatë, për Vllazninë e volejbollit të meshkujve pritet të ketë surpriza të këndshme në ndeshjet finale të fazës Play-Off. Sipas shortit, kuqeblutë e trajnerit Kalaja do të ndeshen me ekipet rivale të Partizanit, Tiranës, Erzenit, Skënderbeut dhe Elbasanit, duke synuar të mbërrijnë në finalen e madhe, pse jo edhe për ta fituar trofeun e vitit.