Tuesday, April 30, 2024

Basket Meshkuj-Vllaznia mund thellësisht Dinamon, 85-52. Kuqeblutë për titull, blutë firmosin largimin nga Superliga

Lexo

Vllaznia-Dinamo 85-52

(29-13, 22-11, 17-18, 17-10)

Formacioni i Vllaznisë: Tomer(21), Rakaj(24), Dobbs(4), Shestani(4), Butler(6), Coper(7), Memçaj(11), Gjeçaj(4), Kruja(2), Shabani(2). Trajner: Damian Bekteshi

Për ekipin e basketbollit meshkuj që konkuron në kategorinë e Superligës duket se po vijnë ditë të mira. Me ardhjen në krye të skuadrës të trajnerit Damian Bekteshi, i cili njëherazi figuron edhe në listën e federimit si basketbollist i skuadrës kuqeblu, skuadra shkodrane ka ndryshuar tërësisht.

Fitoret e njëpasnjëshme, brenda dhe jashtë Shkodre, siç ishte edhe ajo e javës së kaluar, janë dëshmi e punës mjaft të mirë që po bëhet me skuadrën kuqeblu. Fitorja e radhës është ajo e luajtur mbrëmjen e së dieles në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës, ku Vllaznia pati përballë Dinamon.

29 me 13 ishte rezultati në periodën e parë në favor të Vllaznisë, e cila nis mjaft mirë takimin dhe me krijimin e diferencës në avantazhin e rezultatit, e mban kundërshtarin gjatë të gjithë minutave të tjera në dominimin e shifrave.

Kështu, në periodën e dytë, kuqeblutë fiksojnë përsëri fitore, 22-11 duke bërë që pjesa e parë të mbyllet me avantazhin e Vllaznisë më shifrat, 45-24. Me fillimin e pjesës së dytë, Dinamo surprizon teksa e fiton periodën e tretë me shifrat 17-18, që gjithësësi nuk ndikon në avantazhin e Vllaznisë. Madje, kuqeblutë duke fituar edhe periodën e katërt 17-10 e mbyllin të gjithë ndeshjen me 33 pikë diferëncë, duke fiksuar rezultatin e përgjithshëm  85-52.

Në ndeshjet e tjera të kësaj jave, Kamza dhe Partizani u mundën respektivisht nga Tirana 78-83 dhe Teuta 51-96. Me këtë fitore të kësaj jave, Vllaznia vazhdon të renditet në vendin e tretë të tabelës së klasifikimit me 28 pikë, po aq sa ka edhe Kamza, duke pasur në objektiv fitimin e titullit kampion.

Kampionatin e kryesojnë Tirana dhe Teuta me 32 dhe 31 pikë. Për t’u theksuar është se fitorja këtë javë e Vllaznisë ndaj Dinamos ka bërë që kjo e fundit, me pikët e pakta që ka në dispozicion, të firmosë zbritjen në një kategori më poshtë për sezonin e ardhshëm sportiv.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img