Kukësi-Partizani 1-2
(Shënues: Milonoviç 52’ / Stenoi Zhnior 26’ 40’)
Fitore me “aromë” Europe është kjo e sotmja që realizoi Partizani në transferte me ekipin e Kukësit. Ndeshja e luajtur në stadiumin e ri “Kukës Arena” përfundoi me rezultatin 1 me 2 në favor të të kuqve.
Një fitore që vlen direkt për Europën pasi u arrit përballë një skuadre si Kukësi, me të cilin në ndeshjen e sotme të javës së 32-të me pikë të barabara. Kësisoj, me këtë tre pikësh, Partizani merr i vetëm vendin e tretë me 3 pikë më shumë sesa skuadra verilindore.
Një duel ky i cilësisë së lartë, të cilit, përpos golave nuk i munguan as shtyllat, kartonët e shumtë të verdhë, 11-të të tillë, por edhe tre të kuq në radhët e të dyja skuadrave.
Një pjesë e parë e shkëlqyer për Partizanin e teknikut Dritan Mehmeti, ku përpos dopietes së Stenio Zhunior, 26-të dhe 40-të që e mbylli pjesën e parë me avantazhin 2-0, mund ta thellonte edhe më shumë diferencen e golave.
Ndërkohë, në 45 minutat e dyta, vendasit e drejtuar nga italiani Diego Longo kanë një ritëm më të lartë sesa në të parën, gjë e cila prodhon shumë shpejt edhe golin e Milonoviç në të 52-tën minutë.
Nga ana tjetër, edhe pse Kukësi shfaqej më këmgëngulës për të gjetur golin e barazimit,të kuqtë e monitoruan në mënyrën më të mirë ndeshjen. Jo vetem që arritën ta mbajnë në fuqi avantazhin, por shpërdoruan dy-tre mundësi edhe për gol tjetër qetësie.
6 minuta shtesë, që për vonesat e shkaktuara, ndërkombëtari Erdorian Hamitaj e çoi deri në harkun e 100 minutave në total, me vërshëllimen përfundimtare që gëzon Partizanin që shkëputet i vetëm në vendin e tretë në kuotën e 49 pikëve duke lënë Kukësin përkohësisht në vendin e katërt me 46 pikë. Pozicion, të cilin pritet ta lëshojë të enjten pas ndeshjes, Dinamo-Vllaznia, ku me një fitore të mundshme të kuqebluve, shkodranët parakalojnë me dy pikë kuksianët.