Tirana pritej që të siguronte titullin që prej dy javëssh, por këtë mundësi nuk ia dhë, Kastrioti më herët dhe më pas edhe Laçi. Ndërkohë, nesër, në kuadrin e javës së 32-të të Abissnet Superiore, kalendari i ka vënë të përballet me kampionen në fuqi, Teutën.
Për durrësakët, që këtë sezon janë larg pritshmërive të tyre, kjo ndeshje vlen për forcimin e pozitave në mesin e tabelës së klasifikimit, ndërkohë që bardheblutë kërkojnë ta mbyllin para kohe çështjen e titullit kampion.
Ndeshja në fjalë, Tirana-Teuta, do të luhet të mërkurën në stadiumin “Selman Stërmasi” të kryeqytetit duke nisur nga ora 16:45. Në konferencë për shtyp, dhënë sot një ditë përpara ndeshjes me Teutën, tekniku Shehu, u shpeh optimist për fitore si dhe sigurimin e titullit pesë javë nga fundi.
“Duhet të futemi në fushë për tu rikthyer te fitorja. Nuk duhet të ngarkohemi shumë emocionalisht, duhet të mendojmë vetëm për 90 minutat, do të kemi përballë një ekip që ka bërë mirë në këto javët e fundit. Nuk jemi të plotë, na mungon Devid për shkak dëmtimi. Edhe Xhixha nuk është në 100%, nesër do shikojmë gjendjen e tij, nuk duam të rrezikojmë. Distanca e pikëve që kemi mund të ulë pak karikimin, dua që nesër të mos shikoj fytyra të relaksuara, por me uri për tu rikthyer te fitorja. Është hera e parë në këtë kampionat që pësojmë dy humbje radhazi. Skuadrës i kam kërkuar vlerësim dhe impenjim maksimal për sfidën e nesërme, për tu rikthyer aty ku duhet. Do të ishte bukur nëse do të arrinim të fitonim dhe të siguronim titullin përballë skuadrës kampione në fuqi”, tha ndër të tjera, tekniku Shehi gjatë konferencës për shtyp dhënë sot me mediat.