Kombëtarja kuqezi ka luajtur të premten ndeshjen e saj të dytë në kuadër të grupit B të Ligës së Kombeve të Evropës, teksa ka zbritur në fushën e blertë të stadiumit “Arena Kombëtare” për t’u ndeshur me Izraelin. Takimi ka nisur më mirë për miqtë, që madje do të rrezikojnë me një goditje në kufijtë e zonës në minutën e 10-të, por, më pas është Shqipëria që e zhvendos lojën në gjysmëfushën kundërshtare dhe, pas një goditjeje të rrezikshme në skajin tjetër të Ismajlit 7 minuta më vonë. Në minutën e 22-të, Shqipëria do të fitojë një 11-metërsh, pas një episodi në zonë të Uzunit, por, përtej bindjes së tij fillestare, gjyqtari portugeze, Thiago Martins, e ka anuluar vendimin e tij.
Kuqezinjtë vijojnë të këmbëngulin dhe është Ismajli sërish protagonist me goditjen e tij me kokë, por që nuk e gjen kuadratin në minutën e 27-të, ndërsa dy minuta më pas, janë izraelitët në krahun tjetër që kërcënojnë rrezikshëm portën e Berishës me një rast të volitshëm pas një goditjeje me kokë. Kombëtarja vazhdon të këmbëngulë dhe në dy raste, në minutën e 36-të dhe të 40-të, është Broja që shpërdoron mundësi të volitshme, teksa provon të godasë portën kur mund të kishte shërbyer për shokët e skuadrës.
Por në minutën e fundit të kohës së rregullt, Balliu pengohet në zonë dhe këtë radhë 11-metërshi qëndron dhe është Broja që do të ruajë gjakftohtësinë dhe do të kalojë Shqipërinë në epërsi. Pjesa e dytë nis më mirë për miqtë, që këmbëngulin më tepër dhe në minutën e 57-të, do të barazojnë shifrat me anë të Solomonit.
Është i njëjti lojtar që 16 minuta më pas do të gjejë edhe golin e dytë të Izraelit, që përmbys kështu shifrat dhe, përtej këmbënguljes së kuqezinjve, të cilëve u anulohet më pas edhe një gol, për pozicion jashtëloje, arrin ta mbrojë deri në fund fitoren me shifrat 2-1. Shqipëria mbetet kështu në kuotën e një pike të vetme në dy ndeshjet e para të saj në këtë grup, ku Islanda ka dy dhe Izraeli tashmë ka 4 pikë.