Partizani i Dritan Mehmetit ka marrë një fitore të rëndësishme në transfertë duke mundur me rezultatin 0-1 Saburtalo. Një fitore kjo që do të thotë një hap pozitiv drejt kualifiimit në turin tjetër të Conference League.
Ndeshja e luajtur në Tengiz Burjanadze Stadium-Gori, e vlefshme për turin e parë të Conference League ka paraqitur një pjesë të parë disi më të mirë për vendasit, të cilët kanë më tepër volum loje përballë një Partizani që mendon më shumë për prapavijën.
0 me 0 mbyllet pjesa e parë, ndërkohë që me fillimin e së dytës është Partizani që përmes Carës arrin të shënojë në portën vendase, gol ky që ka Brenda edhe shërbimin e Skukës përmes një depërtimi klasik nga anësorja. Të kuqtë në avantazh 0-1, që do të thotë më shumë qetësi për skuadrën e drejtuar nga Dritan Mehmeti. Gjeorgjianët hidhen të tërë në sulm për të gjetur golin e barazimit, por nga ana tjetër është Partizani që mund të shënonte përsëri me anë të Rrapajt, por vonesa e tij në aksion shpërdoron një mundësi të artë për dyfishimin e avantazhit.
Vendasit nuk kanë çfar të humbin dhe spostohen të gjithë në zonën e Partizanit me një seri rastesh, por që për fat, të kuqtë arrijnë ta ruajnë të paprekur rrjetën e tyre, ndërkohë që përmes kundrasulmit të shpejtë, nëse mbrojtësi Cvetanoski do të tregohej më i qetë në veprimin me topin, Partizani mund të ishte larguar me një rezultat të pastër 0-2. Por, gjithësesi, edhe me avantazhin 0-1, të kuqtë janë më të avantazhuar për të kaluar turin.