Tirana po zhgënjen në Kupat e Europës. Ndryshe nga kampionati shqiptar ku dominuan Superioren duke u shpallur kampion disa javë përpara mbylljes së sezonit, në Kupat e Europës gjërat nuk po shkojnë aspak mirë.
Eliminimi nga turi i parë eliminator i Ligës së Kampioneve i dha mundësinë bardhebluve të vazhdojnë në konkurimin në Conferencë League duke u ballafaquar me boshnjakët e Zrinjskit të Mostarit.
Por, edhe pse pritej një rezultat pozitiv, sfida e parë e luajtur mbrëmjen e sotme në “Air Albania” të Tiranës fiksoi sërishmi rezultat negativ për skuadrën e drejtuar nga trajneri Orges Shehi.
Bardheblutë kanë gabuar që në nisje të takimit kur në minutën e 12-të, ndërhyrjen brenda zonës të Limajt ndaj Jukiç arbitri e vlerëson me penallti. Gjuajtja e boshnjakut Bilbija është e saktë duke shkuar tokazi, majtas në rrjetën e Bekajt.
Boshnjakët në avantazh 0-1, avantazh të cilin arrijnë ta mbajnë në fuqi deri në fundin e krejt ndeshjes duke u larguar nga kryeqyteti shqiptar me një rezultat pozitiv që i jep shpresë për kualifikim në ndeshjen e kthimit që do të luhet javën e ardhshme në Bosnje.
Kjo është humbja e tretë radhazi e Tiranës në ballafaqimet europiane, çka ka krijuar një problematikë më vete në kampin bardheblu. Ndërkohë, me jo pak shqetësim po përjetohet kjo situatë zhgënjyese e skuadrës kampione edhe në radhët e tifozërisë bardheblu, të cilët prisnin një përfaqësim më ndryshe të skuadrës së tyre të zemrës në ndeshjet europiane.
Megjithatë, edhe pse humbja në ndeshjen e parë në shtëpi është një goditje jo e vogël, në kampin tiranas ka akoma shpresë dhe besim se rezultatin negativ të Tiranës mund ta kthejnë javëne ardhshme në Bosnje.