Ariel Borisyuk është përforcimi i ri i Laçit. Mesfushori i kombëtares së Polonisë ka mbërritur dje në Shqipëri duke iu bashkuar skuadrës kurbinase. 30-vjeçari ka një CV mjaft të pasur dhe në kampionatin shqiptar pritet të bëjë diferencën. Laçi është pranë kualifikimit në turin e tretë të Conference League teksa në sfidën e parë barazoi 0-0 në transfertë kundër Petrocub.
Polaku 30-vjeçar është një lojtar me mjaft eksperiencë dhe karrierë të pasur, pasi në të kaluarën përveçse ka qenë pjesë e kombëtares polake me të cilën numëron edhe 12 prezenca, ka milituar për ekipe si Kaizerslautern, Queens Park Rangers, apo Legia Gdansk, e Sherif Tiraspol, ndërsa aventurën e fundit e ka patur në Indi me Chenallyin, skuadër drejtimin e së cilës e ka marë së fundmi ish-tekniku i Vllaznisë, Thomas Brdaric.
Gjithsesi vlen të theksohet se Borysiuk vjen pas një periudhe pothuaj 5 mujore pa aktivizim në kompeticionet zyrtare, ndaj dhe në kampin kurbinas duan të shuajnë çdo dyshim në lidhje me gjendjen dhe gadishmërinë e tij për të kontribuar menjëherë para prezantimit zyrtar. Natyrisht që bëhet fjalë për një përforcim mjaft të vlefshëm për Shpëtim Duron, që për momentin ka fokusuar të gjitha mendimet dhe energjitë te sfida e kthimit me moldavët e Petrocub, në program këtë të enjte në Elbasan Arena, ku Laçi do të kërkojë fitoren që i siguron kualifikimin në raundin e tretë të Conference League pas barazimit 0-0 të sigluar në transfertë.
Klubi kurbinas shpreson që në këtë përballje të mund të mbështetet dhe te një përkrahje e zjarrtë nga ana e tifozerisë vendase, për të karikuar akoma më tepër skuadrën në fushën e blertë. Bardhezinjtë rezistuan në Moldavi për më shumë se 60 minuta me 10 lojtarë, dhe në këtë përballje i kanë të gjitha letrat në rregull për të synuar kalimin e turit që përveç aspektit sportiv kontribuon me të ardhura të rëndësishme për të ardhmen e skuadrës.