Arbitri i njohur Enea Jorgji bëri një hap të rëndësishëm në karrierën e tij ndërkombëtare pak kohë më parë, teksa u bë i pari shqiptar që merr pjesë në programin “Talent & Mentor 2022” të UEFA-s për arbitrat e nivelit të kategorisë së parë. Një sukses i vërtetë për Jorgjin edhe për arbitrimin shqiptar, pasi i jep mundësi atij që brenda pak kohe të jetë ndër emrat e arbitrimit elitar në UEFA dhe të arbitrojë ndeshje të rëndësishme ndërkombëtare. Në një intervistë për Fshf.org ai tregon se çfarë do të thotë për një arbitër që të bëhet pjesë e programit “Talent & Mentor” dhe sa i rëndësishëm është ky hap qoftë në aspektin individual, qoftë edhe për arbitrimin shqiptar.
Në dhjetor të vitit kaluar Enea Jorgji hyri në histori si arbitri i parë shqiptar që u bë pjesë e kategorisë së parë me një vendim të Komitetit Arbitrave të UEFA-s, që i jep mundësi të jetë arbitër në ndeshjet e UEFA Champions League deri në ndeshjet eliminatore para grupeve si dhe në ndeshjet e UEFA Europa League e UEFA Europa Conference League, duke përfshirë edhe ato në grupe, ndeshjet e ekipeve kombëtare A gjatë fazave eliminatore.
– Një muaj më parë UEFA vendosi që ju të bëheshit pjesë e programit “Talent & Mentor 2022” të të organizuar nga qeveria e futbollit europian për arbitrat e nivelit të kategorisë së parë. A mund të na e shpjegosh më qartë se çfarë është ky projekt dhe cili është qëllimi i tij?
E vërtetë, pak kohë më parë kam marrë një ftesë për programin “Talent & Mentor 2022”. Ky program konsiston në fokusin e një grupi të caktuar arbitrash, ku bëj pjesë dhe unë, të cilët janë nën mbikëqyrje prej disa ish-arbitrave më të njohur të Europës sot në rolin e mësuesve e këshilluesve për individët premtues për të qenë në Elitën e arbitrimit Europian. Bëhet fjalë për emra si Nicola Rizzoli, Viktor Kassai, Domenico Messina, Vitor Pereira, Frank De Bleeckere, etj. Qëllimi do të jetë vëzhgimi i tyre ndaj nesh në ndeshje të caktuara, përcjellja e informacionit nga ana jonë për ecurinë e përgatitjes atletike, teorike, por mbi të gjitha për performancën tonë në ndeshjet përkatëse. Analiza e tyre do të evidentojë më pas dhe fushat se ku ne si arbitra duhet të përqendrohemi për të përmirësuar veten.
– Cilat ishin kriteret për t’u bërë pjesë e këtij projekti dhe pse UEFA ju përzgjodhi pikërisht ju nga Shqipëria?
Vazhdimisht qe prej vitit 2013 kam qenë pjesë e programeve të ndryshme për talentet organizuar nga UEFA dhe ky i fundit është vazhdimësia e tyre, por me një nivel më të lartë kualifikues këtë herë. Ndaj mund të them që përzgjedhja ime nuk ishte e rastësishme.
– Vitin e kaluar ju u bëtë arbitri i parë shqiptar në kategorinë e parë europiane me një vendim të Komitetit Arbitrave të UEFA-s. A mund të na tregoni për eksperiencën e tuaj në arenën ndërkombëtare që pas këtij vendimi e në vazhdim dhe sa ka ndikuar ky hap në karrierën tënde?
Në fakt ishte një lajm vërtetë i bukur për mua si Enea, por edhe për të gjithë realitetin e arbitrimit shqiptar mendoj, sepse si kurrë më parë sot kemi mundësinë të përfaqësohemi në nivele të larta.
Ndikimi në fakt ka dhënë sinjalet e tij, pasi jo më larg se një muaj më parë së bashku me kolegët e mi, kemi arbitruar një ndeshje kualifikuese për ekipet Kombëtare A ku sistemi VAR sot i njohur botërisht si një prej ndryshimeve më të mëdha që ka pësuar arbitrimi dhe futbolli i luajtur, ishte prezent. Koleget në dhomën e VAR-it ishin italianë dhe ky ishte i pari bashkëpunim nëse mund ta quaj të tillë për të kuptuar hapin e rëndësishëm ku kemi arritur me përfaqësimin në Kategorinë e parë të UEFA-s. Momentalisht që flasim jam në Frankfurt i ftuar në seminarin e organizuar periodikisht nga UEFA me grupin e arbitrave Elitarë në mbarë Europën. Eksperienca këtu është një sukses më vete, pasi më jep mundësinë të prek nga afër mënyrën, konceptet, dhe logjikën sesi duhet te ecet përpara në këtë fushë.
– Si do ta konsideronit eksperiencën në ndeshjet kualifikuese të kupave të Europës gjatë këtij sezoni? Cili mund të jetë hapi juaj i radhës në karrierë gjithmonë duke folur në rrafshin ndërkombëtar?
-Eksperiencën deri më tani nuk ka sesi ta konsideroj tjetër veçse pozitive. Për momentin mendoj vetëm ndeshjen e radhës në kompeticionet europiane dhe pres mundësitë që ofrohen. Hapi radhës është të jem gjithmonë gati për sfidën e radhës e për të kapur shanset e mia për arritje të mëtejshme.