Vllaznia-Kastrioti 1-0 (Shënues: Ardit Hoxhaj 1’)
E diele, 18 shtator 2022, ora 17:45, Stadiumi “Loro Boriçi” i Shkodrës
Vllaznia: Zogoviç, Gurishta, Shehi, Juriç, Hakaj, Jonuzi, Alivoda(Kruja 78′), Heriç(Vulaj 88′), Mala, H. Marku, A. Hoxhaj(Kaina 61′). Trajner: Mirel Josa
Kastrioti: Sali, Kodra, Stojanoviç, A. Selmani, Rami, Karakaçi, Hasani, Mehmeti(Dida 90+1′), Zogaj(Prenkoçeviç 64′), Gabriel(Marinaj 64′), Greca(Ajazi 85′). Trajner: Emiljano Çela
Gjyqtarë: Emanuela Rusta(Elbasan), Dojando Myftari(Tiranë), Emigers Ganxhi(Elbasan). I katërt: Kreshnik Bajramaj(Tiranë)
Delegat: Besnik Çela(Tiranë)-Vëzhgues: Ilirjan Kristo(Tiranë)
VAR-Enea Jorgji(Elbasan) / AVAR-Astrit Mahmuti(Tiranë)
Për Vllazninë, e cila vinte pas humbjes së thellë 3-0 javën e kaluar në transfertë me Egnatian, fitorja ndaj Kastriotit në javën e pestë të Abissnet Superiore ishte një detyrim. Dhe, këtë e arriti përmes një goli të shënuar që në start të takimit, me vetem 37 sekonda pas vërshëllimës nga gjyqtarja kryesore Emanuela Rusta.
Me këtë nisje kaq pozitive, u krijua përshtypja se Vllaznia do ta kishte të lehtë fitoren, madje kishte zëra në tribunën mediatike që mund të kishte edhe goleadë. Edhe pse minutat në vazhdim ishin sërishmi nën administrimin e kuqebluve, ku spikat sidomos një gjuajtje ballore e kalibruar nga Heriç që me vështirësi grushtohet mbi tra nga portjeri krutan Sali, Vllaznia nuk e pati më atë shkëlqimin e duhur duke bërë që pjesa e parë të mbyllet me avantazhin 1-0.
Disa tentativa të fillimit të pjesës së dytë për të gjetur golin e qetësisë, sidomos me një gjuajtje potente standarte të Markut ku Sali bën të njëjtën gjë si në pjesën e parë, dhe më pas janë krutanët, të cilët të dirigjuar nga dyshja shkodrane, Karakaçi-Hasani, marrin tërësisht iniciativen.
Me një mesfushë aktive, duke përfituar edhe nga tërheqja e Vllaznisë, Kastrioti e kërkon me ngulm golin e barazimit, por për meritë të Zogoviç, por edhe për pasaktësinë e sulmuesve krutanë, goli i barazimit nuk del në dritë.
Gjithësesi, edhe pse paksa e vuajtur dhe me rezultat minimal, fitorja e Vllaznisë është e merituar, duke bërë që kuqeblutë e drejtuar nga Mirel Josa të marrin pikët e duhura. Pikë këto që e përfshijnë atë në treshen e më të mirëve të kampionatit. Me Erzenin që kryeson renditjen e përkohme me 11 pikë, Partizani me një ndeshje më pak që do ta luajë të hënën dhe Vllaznia janë në vend të dytë dhe të tretë me nga 9 pikë, Tirana dhe Bylis në vend të katërt dhe të pestë nga 8 pikë.
Egnatia dhe Kastrioti pozicionohen në vendin e gjashtë dhe të shtatë, me 7 dhe 5 pikë. Laçi dhe Teuta ndajnë vendin e tetë dhe të nëntë me nga 3 pikë, dhe i fundit Kukësi që mbyll tabelen me vetëm 2 pikë.
Gaspër MARKU