Vllaznia në futboll për femra është në prag të realizimit të ëndrre të madhe. Futbollistet kuqeblu janë më tepër se kurrë pranë kualifikimit në grupet e Ligës së Kampioneve të Europës mes 16-të më të mirave të kontinentit.
Kjo është hera e tretë që Vllaznia e Shkodrës e synon një gjë të tillë, dhe për ta bërë realitet duhen edhe dy ditë. Të mërkurën e 28 shtatorit, ora 16:00, në stadiumin “Loro Boriçi” luhet ndeshja e dytë e turit të dytë të Ligës së kampioneve, Vllaznia-Vorskla Kharkiv(Ukrainë).
Kujtojmë se të mërkurën e kaluar, këto dy skuadra luajtën ndeshjen e parë, ku për arsye të luftës në Ukrainë, Vorskla Kharkiv ishte pritëse. Një 90-të minutësh ky shumë i dyluftuar që u mbyll në barazim 1-1 me gola të shënuar nga Megi Doçi për Vllazninë dhe Osipian për mikeshat me penallti.
Në pritje të kësaj ndeshje, skuadra kuqeblu e drejtuar nga trajneri Nikolin Leka dhe kolegu i tij, Fabiol Rexhepi ka vijuar rregullisht proçesin stërvitor, ndërkohë që për të mbyllur përfundimisht përgatitjet ka në dispozicion edhe një seancë të fundit, atë të ditës së martë që do ta zhvillojë në stadiumin “Loro Boriçi”.
Nga sa bëhet e ditur, atmosfera në kampin kuqeblu është mjaft e mirë. Pozitive për stafin teknik është se tashmë e njohin mirë kundërshtarin, madje përpos ndeshjes së javës së kaluar, kanë pasur rastin ta studiojnë edhe në vëzhgimin e videos së ndeshjes së parë shoqëruar edhe analizat teknike të videoanalistit të klubit Vllaznia për femra, Oliver Matija.
Një tjetër avantazh pritet të jetë edhe riaftësimi i ndonjërës prej futbollisteve të dëmtuara që munguan në ndeshjen e parë. Por, avantazhi më i madh që futbollistet shkodrane pritet të kenë në këtë ndeshje të dytë, e cila luhet dy orë më herët se e para, në 16:00, do të jenë tifozët shkodranë dhe më gjërë.
Në sfidën e parë, falë një bashkëpunimi të mirëfilltë të klubit, me strukturat sportive dhe ato arsimore të Shkodrës, pjesëmarrja ishte e kënashme. Por për ta çuar deri në fund këtë bashkëpunim, duhet edhe një mbështetje tjetër edhe më e madhe për ndeshjen e së mërkurës.
Ndaj, për këtë drejtuesit e Klubit të Futbollit Femra Vllaznia, kanë përcjellë mesazhin public për të gjithë tifozërinë: Të gjithë bashkë, drejt suksesit, “Eja edhe ti”, të mërkurën, ora 16:00, në stadiumin “Loro Boriçi”, Vllaznia- Vorskla Kharkiv(Ukrainë).