Kampionatet e moshave të futbollit kanë nisur prej pak ditësh në të gjitha nivelet e “Abissnet Superiore”, nga grup-mosha U-13 e deri te ato U-19 me Federatën Shqiptare të Futbollit që këtë edicion ka sjellë edhe risi të rëndësishme për zhvillimin e futbollit të bazës.
Aktualisht të gjitha nivelet e kategorive “Abissnet Superiore” sapo kanë nisur sezonin, ndërsa këtë fundjavë do të nisë edhe Kategoria e Parë që nga mosha U-13 e deri të mosha U-19.
Risia e madhe që sjell Federata Shqiptare e Futbollit në këtë edicion është transmetimi direkt çdo javë i të paktën 2 ndeshjeve kryesore nga kampionatet e moshave në kanalet zyrtare të Federatës në median sociale.
Gjithashtu, FSHF do të mundësojë edhe transmetimin e një ndeshjeje çdo javë nga kampionati i vajzave po në kanalet e veta zyrtare, duke i dhënë kështu një audiencë akoma më të madhe edhe futbollit të vajzave që vazhdon të tërheq interesimin gjithnjë e më të madh të shumë vajzave që po afrohen me ekipe.
Kësisoj, futbolldashësit do të kenë mundësi të ndjekin drejtpërdrejtë pa pagesë ndeshje nga kampionatet e moshave dhe kampionati i vajzave, teksa FSHF do të promovojë kështu të rinjtë dhe të rejat, duke i dhënë më shumë shikueshmëri futbollit të fëmijëve dhe vajzave, që janë dy nga prioritetet kryesore në strategjinë e Federatës.