2 me 1 në favor të Flamurtarit ka përfunduar ndeshja e parë e luajtur dy javë më parë në Vlorë në kuadrin e turit të parë të Kupës së Shqipërisë. Një fitore kjo që i ka bërë vlonjatët të ëndërrojnë dhe të shpresojnë kalimin e turit. Madje, në deklaratat e dhëna për median nga trajneri brazilian Marçelo Troisi dhe kapiteni Moçka, ato janë shprehur se përpos eleminimit të Vllaznisë synojnë edhe fitoren e Kupës së Shqipërisë.
Por, nga ana tjetër, krejt ndryshe mendojnë në kampin kuqeblu, ku pas rezultatit negativ duke humbur në shtëpi me Partizanin për kampionat, kërkojnë patjetër kualifikimin në kupë, kompeticion të cilin e kanë fituar dy sezone radhazi.
Është kjo arsyeja që në sfidën që do të luhet nesër në stadiumin “Loro Boriçi”, Vllaznia pritet të dalë në fushën e lojës tejet e karikuar për të përmbysur humbjen e parë në Vlorë me rezultatin 2-1.
Ajo që theksohet ka të bëjë me faktin që nga ana e presidences së Vllaznisë është vendosur që për ballafaqimin e Kupës, Vllaznia-Flamurtari, të jetë hyrja e lirë. Vendin ky çka të lën të kuptosh që për vetë situatën jo shumë komode që po kalon skuadra, Vllaznia ka nevojë për një mbështetje sa më të madhe të tifozëve për të siguruar kualifikimin në turin e dytë.
Megjithatë, duhet thënë, që ashtu si edhe në ndeshjet e mëparshme, Vllaznia do të vijojë të vuajë mungesat e disa lojtarëve të cilët kanë shfaqur shqetësime dëmtimesh. Referuar të rejave më të fundit në kampin kuqeblu, krahas Latifit dhe Boshnjakut, por edhe të Hakajt, të cilët vijojnë të mungojnë prej disa javësh, shqetësim ka shfaqur edhe mesfushor Fjoart Jonuzi, për të cilin bëhet e ditur që nuk do të jetë pjesë e skuadrës për ndeshjen e kthimit të kupës me Flamurtarin.