Ada-Shënkolli 2-2
(Shënues: Curri 25′ , Kaçubela 69′ / Lleshi 56′ , 90+4′)
Pikërisht, atëherë kur po përgatitej t’i gëzohej fitores së parë në këtë kampionat, Ada e Velipojës gabon rëndë duke pësuar një gol në minutën e 94-tërt. Velipojakët janë të pafat, pasi për hirë të së vertetes, në sfidën e sotme përballë Shënkollit, ndeshje kjo për llogari të javës së gjashtë të Kampionatit kombëtar të Kategorisë së Dytë, grupi A, kanë bërë paraqitjen më të mirë në krahasim me ndeshjet e javëve të mëparshme.
Sfida e luajtur në fushën sportive “Adriatik” të Velipojës, i ka parë vendasit të kalojnë në avantazh të parët me golin e shënuar nga Curri në minutën e 25-të. Me avantazhin 1-0 për Adën mbyllet pjesa e parë, ndërkohë që me të filluar e dyta janë miqtë nga Shënkolli që barazojnë në minutën e 56-të me anë të Lleshit.
Barazimi nuk zgjat shumë, sepse pas 13-të minutash është kapiteni velipojak Kaçubela që shënon golin e dytë duke kaluar Adën në avantazh 2-1. Minuta të mira për vendasit, ndërkohë që në kampin shënkollas ka shtim të forcave sulmuese në kërkim të golit të barazimit.
15-të minutat e fundit janë më të bukurat e krejt ndeshjes, pasi ritmi dhe grinta në radhët e të dy ekipeve është shtuar shumë në fushën e lojës. Shënkolli kërkon barazimin, por nga ana tjetër, është Ada, që me një lojë të kujdeshme në mbrotje dhe mesfushë, thyen çdo aksion të miqve, ndërkohë që sulmi me në krye golashënuesin e njohur Frroku, shfaqet kërcënuese në portën mike. Madje, në dy moment, goli në portën e Shënkollit është krejt afër, për ta çuar avantazhin në 3-1.
Por, rregulli i pashkruar në fushën e futbollit, që po nuk shënove, e pëson, ndodh edhe tek Ada e Velipojës. Është minuta e këtërt shtesë nga tre të tilla të akorduara, pikërisht në atë moment, kur gjyqtari kryesor po përgatitej të vërshëllente për të mbyllur takimin, një kundrasul pa shumë pretendimet i miqve, duke u ndihmuar edhe nga gabimi në prapavijen e vendasve, bën që Ada të ndëshkohet me gol me autor Lleshin, i cili realizon dopietën në këtë ndeshje.
Barazim 2-2. Një ndeshje, që ashtu si edhe dy të mëparshmet, në mungesë të trajnerit-futbollist, Altin Xhahysa, është drejtuar në stol nga trajneri Etrit Nika. Por, nëse në ndeshjet e mëparshme Xhahysa ka qënë në formacion nga minuta e parë, këtë radhë, ai është detyruar ta ndjekë skuadrën e tij nga jashtë rrethimit të fushës sportive “Adriatik” të Velipojës, për shkak të dënimit marrë nga Komisioni i Disiplinës që nga ndeshja e kaluar në transfertë me Murlanin.
Në prononcimin e dhënë pas ndeshjes për Veriu Sport, Xhahysa, shpreh keqardhjen për humbjen e dy pikëve shumë të rëndësishme në ktë ndeshje. Megjithatë, pika e marrë ndaj Shënkollit është e para për Adën, dhe për këtë, duke shtuar edhe paraqitjen e mirë të skuadrës, Xhahysa, ka besim se në javët e ardhshme situata tek Ada do të ketë përmirësime.
(Video) Pamje nga ndeshja, Ada-Shënkolli 2-2, java e 6-të e Kategorisë së dytë)