Kombëtarja shqiptare ka udhëtuar sot drejt Spanjës në kuadër të miqësores e Katarin që do të luhet më datë 9 nëntor në Marbella. Delegacioni kuqezi është nisur nga Tirana në mëngjes për të mbërritur në Spanjë pak pas mesditës dhe është akomoduar në hotel.
Më pas rreth orës 17:00 kuqezinjtë kanë zbritur në fushë për të kryer seancën e fundit stërvitore në drejtimin e trajnerit Edoardo Reja dhe stafit teknik. Në këtë seancë kanë marrë pjesë të gjithë lojtarët, teksa edhe mesfushori Ardit Deliu, i cili pati shqetësime muskulore në ditën e parë, është stërvitur rregullisht me grupin.
Për më shumë se një orë tekniku Reja ka provuar vendosje të ndryshme taktike në fushë, duke testuar të gjithë lojtarët e ftuar për këtë miqësore. Atmosfera është shumë pozitive dhe skuadra beson në një paraqitje të mirë ndaj Katarit, që është vendi pritës i Botërorit dhe do të marrë pjesë në finalet e kompeticionit më të rëndësishëm në planet.
Miqësorja Katar-Shqipëri do të luhet ditën e mërkurë, datë 9 nëntor në Marbella të Spanjës, duke nisur nga ora 18:30. Kjo do të jetë miqësorja e parë e muajit nëntor nga tre të programuara, teka më 16 nëntor Shqipëria luan ndaj Italisë dhe më 19 nëntor ndaj Armenisë, me të dyja sfidat që do të luhen në stadiumin “Air Albania” të Tiranës.
(Video) Seanca stërvitore e Kombëtares së Shqipërisë në Spanjë, një ditë para ndeshjes miqësore me kombëtaren e Katarit)