Do të nisë në muajin janar kursi i radhës për formimin e fizioterapistëve, që organizohet nga Federata Shqiptare e Futbollit. Ky kurs do të drejtohet nga Departamenti i Mjekësisë Sportive në FSHF dhe do të marrë udhë më 19 janar 2023, ndërsa do të jetë i ndarë në disa periudha për t’u përmbyllur me provimet finale në muajin korrik 2023.
Lektorët kryesorë do të jenë dy përfaqësuesit e Departamentit të Mjekësisë Sportive, Gianluca Stesina e Ilvi Begolli, ndërkohë që do të jenë të ftuar edhe lektorë të ndryshëm me një përvojë të pasur në fushën e fizioterapisë.
Të gjithë kursantët do të kenë mundësinë të ndjekin e të thellojnë njohuritë e tyre mbi tema të ndryshme, që nga dëmtimet e gjurit, këmbës dhe legenit, te dëmtimet e gjymtyrëve të sipërm, kolonës lumbare, dëmtimet muskulare në sport e nutricioni sportiv, si edhe te përdorimi i terapisë strumentale (aparaturave) në patologji të ndryshme e ndihma e parë (urgjenca) BLSD dhe rianimimi kardio-pulmonar.
Për t’u regjistruar në këtë kurs, të gjithë të interesuarit duhet të plotësojnë këto kritere:
- Diplomë e Universitetit Mjekësisë ose Fizioterapi
- Kandidati duhet të jetë pajisur me raport mjekesorë lëshuar nga organi përkatës (e marrë brenda 3 muajve të fundit);
- Dy fotografi pasaporte;
- Fotokopje e ID ose e Pasaportës;
- Cv që përfshin gjithë aktivitetin si fizioterapist;
- Numër kontakti/ adresë e-maili.
Nuk do të pranohen në kurs:
- Kërkesat e dërguara nga kandidatët e dënuar mbi 180 ditë nga Komisionet Disiplinore të FSHF-së;
- Studentët të cilët, ndërsa ndjekin kursin, do të pësojnë një pezullim prej më shumë se 180 ditësh nga Komisionet e FSHF-së;
- Kandidatët e dënuar përjetësisht nga Komisionet e FSHF-së;
- Studentët të cilët gjatë zhvillimit të kursit dënohen nga autoritetet pezullohen nga kursi.
Kërkesa për regjistrim, duhet të dergohet përmes postes elektronike në adresën drejtoria.teknike@fshf.al, përmes postës së zakonshme me konfirmim marrje në adresën Rr. Liman Kaba, Nd 5, Hyrja 1, Njësia Administrative 5, Kodi Postar 1019, Tiranë ose të dorëzohen fizikisht pran sekretarisë në të njëjtën adresë. Afati i fundit për paraqitjen e kërkesës është data 15.01.2023. Aplikimet që mbërrijnë pas afatit nuk do të pranohen.
Të gjithë ata që pranohen në kurs duhet të paguajnë një tarifë pjesëmarrjeje prej 70 Euro për periudhë në qoftë se nuk duan ta ndjekin të gjithë kursin e fizioterapisë ndërsa për personat që duan të ndjekin të gjithë periodat dhe të përfitojnë licensën në përfundim të kursit duhet të paguajnë 450 euro që në fillim të kursit. Për çdo informacion në lidhje me renditjen, aspektet logjistike dhe organizative të Kursit, kontaktoni Sekretarinë e Shkollës tek adresa e postës elektronike : drejtoria.teknike@fshf.al
Ky kurs për mjekësinë sportive nuk është i pari, teksa është pjesë e një projekti të mirëfilltë që Federata Shqiptare e Futbollit ka nisur për Mjekësinë Sportive dhe arritjen e shpejtë të standardeve më të larta në këtë sektor shumë të rëndësishëm për zhvillimin e futbollit. Prej kohësh FSHF është duke punuar me të gjithë faktorët e rëndësishëm në këtë proces, duke përfshirë të gjithë mjekët e klubeve, universitetet, institucionet spitalore si dhe federatat e tjera sportive në vend.