Monday, November 25, 2024

Me yjet, për yjet, në Shkodrën e yjeve…

Lexo

Nga prof. Dr. Xhevdet ZEKAJ

Kryeqendra e veriut dihet se është djepi i kulturës, sportit, artit etj. në vendin tonë. Mjafton kjo “kryefjalë” për t’i nënkuptuar të gjitha. Si çdo vit, Shkodra do të laureojë e nderojë sportistët e vet më të mirë. Një traditë e bukur, që shëmbëllen pozitivisht për të gjithë.

2022-shi, që po konsumon ditët e fundit, ka qenë i mirë për ngjyrat kuqeblu. Këtu kemi parasysh dy ekipet e futbollit, Vllazninë për meshkuj dhe femra. E para fitoi Kupën e Shqipërisë, një trofe i lakmuar prej të gjithëve. E dyta regfjistroi arritjen historike, duke luajtur në grupet e Ligës së Kampionëve përballë emrave të mëdhenj si Real Madridi, Chelsea dhe PSG.

Natyrisht, sporti shkodran ka spikatur edhe në disiplina të tjera, veç futbollit, që e “shpiku” në vendin tonë; si peshëngritja, boksi, atletika, basketbolli etj. Të gjithë ata që e nderuan Shkodrën me paraqitjet e tyre në këto 365 ditë kalendarike do të marrin vlerësimin e merituar në këtë ceremoni të quajtur “Festa e Yjeve”. Sepse qytetaria shkodrane është mësuar me mirënjohjen, nuk i harron kurrë bijtë dhe bijat e veta më të mira në sport.

“Qershia mbi tortë” për këtë vit ishte Vllaznia e femrave, pa asnjë diskutim. “Qershia mbi tortë” ishte Megi Doçi, me golin për kornizë ndaj Real Madridit. Imazhi i mirë që i sollën vajzat kuqeblu Shkodrës dhe krejt shqiptarisë kanë një “regjisor”, që quhet Lazër Matija. Njëri nga yjet që meriton të nderohet me të madhe në këtë ceremoni të përvitshme. Kuptohet, pjesë e “partiturës” së tij të bukur është edhe trajneri Nikolin Leka, stafi i tij teknik dhe mjekësor, vajzat kuqeblu. Të tërë bashkë janë si aureola e “Festës së Yjeve” për këtë vit.

Historia mbetet histori. Shkodra ka shpikur futbollin e meshkujve në vendin tonë për herë të parë. Askush tjetër, përveç Vllaznisë së femrave mund të arrinte një nivel të tillë, fazën e grupeve, në Ligën e Kampionëve. Bashkë me Juban Danja, me presidentin tjetër pasionant dhe ambicioz, Ferdinand Jaku, hodhën themelet e futbollit të femrave në Shqipëri. Ne nga Tirana e kemi të vështirë të qëmtojmë më të mirët, sepse atje luhet basketboll, futboll, ushtrohen me sukses të madh sportet individuale si atletika, boksi, peshëngritja etj. Beqiri në boks, Smajli në atletikë, Qerimaj në peshëngritje janë vetëm pak emra që duhen evidentuar nga geni shkodran, si pjesë e elitës sportive të vendit tonë.

Megjithatë, ne sot po ndalemi kryesisht te futbolli, sporti më popullor. Natyrisht “sportisti” më i mirë I këtij viti është i ashtuquajturi “tifozi I 12-të”. E kemi fjalën për tifozët shkodranë, që e kanë fe futbollin, Vllazninë e zemrës. Janë ata që nuk i ndahen asnjëherë Vllaznisë, sportit shkodran, në të gjitha disiplinat. E duan në të mirë dhe të keq. Meriton përgëzime edhe kultura e tyre e kritikave, sepse jetojnë përditë me sportin, e njohin ndoshta më mirë se askush tjetër.

Nëse ka një paralelizëm të shprehjes së Valcareggi se në Itali janë 60 milionë trajnerë, kjo vlen në një masë të madhe edhe për shkodranët. Nuk besojmë të ketë qytet tjetër si Shkodra, ku rreth 130 mijë qytetarë të qarkut të saj kanë njohuri mbi futbollin sa një trajner mesatar, sidomos për futbollin. Kjo vjen prej pasionit, lidhjes së fortë me ngjyrat kuqeblu.

Bashkia e Shkodrës, për të qenë në lartësinë e qytetarëve të vet, tifozëve të zjarrtë, duhet t’i qëndrojë edhe më afër sportit, sidomos në ato disiplina ku aspekti financiar i ka bjerrur disi gjërat. Nëse futbolli e gjeti zgjidhjen me presidentin Alban Xhaferi për meshkuj dhe Lazër Matija për femra, mirë është që ky model të zgjerohet. Duhet menduar urgjentisht për një fushë futbolli ku të stërviten vajzat kuqeblu, të cilat janë krenaria e kyeqendrës së veriut.

Pra, bashkia duhet të vërë dorë në infrastrukturën sportive, mbi të gjitha. Sepse talenti nuk mungon kurrë në Shkodër, në të gjitha sportet. Prej vitesh, kjo fidanishte ka furnizuar klubet dhe ekipet e krejt Shqipërisë me emra të mëdhenj. Ndaj edhe e meriton një shkrim të tilla “Festa e Yjeve”, që organizohet çdo vit në kryeqendrën e veriut. Jo më kot e kemi titulluar: Me yjet, për yjet, në Shkodrën e yjeve…

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img