Pelé mund të jetë i paarritshëm për shumë breza futbollistësh pasi arena e tij më e madhe ka qenë Kupa e Botës. Në eventin më të rëndësishëm futbollistik Pelé numëron katër pjesëmarrje dhe tre triumfe. Mbase është kjo statistikë e thjeshtë, në të thënë por ende e paarritshme prej asksujt deri më tani, që mund të bëjë ‘O Rey’-n ikonën e vetmë të lojës që mbërthen pas vetes miliona njerëz.
Suedi 1958 – Pelé mori ftesën nga Feola për Botërorin e Suedisë kur ende nuk kishte mbushur 18-vjeç. Edhe pse i ri në moshë nuk u tërhoq madje udhëtoi me ekipin me një objektiv të qartë, të merrte hak për ‘’Maracanazo’’-n e famshme. I shënoi Uellsit golin qëbkaloi Brazilin në ½ e finaleve. Aty Brazili gjeti Francën dhe ‘’O Rey’’ e shembi me tre gola. Në finale nuk zhgënjeu dhe shënoi dy gola përballë Suedisë, njëri prej tyre do ta shoqërojë ‘’Mbretin” gjatë të gjithë karrierës.
Kili 1962 – Goli dhe asisiti në ndeshjen e parë përballë Meksikës ishin tregues se Pelé ishte aty për të qenë sërisht protagonist. Gjithsesi në ndeshjen e dytë përballë Çekosllovakisë, Pelé u dëmtua rëndë dhe nuk mundi më që të luante asnjë minutë në atë Botëror. Për të udhëhequr Brazilin drejt triumfit të dytë radhazi, sipërmarrje e papërsëritur nga asnjë kombëtare më pas, ishin Amarildo e Garrincha.
Angli 1966 – Ashpërsia e dueleve karakterizoi turneun dhe për fatin e keq Pelé bëhet ‘’viktima’’ më e famshme. Ashtu si katër vite më parë ‘’O Rey’’ nisi me këmbën e mbarë duke shënuar gol nga goditja dënimit në ndeshjen kundër Bullgarisë. Gjatë takimit Zekov ndërhyri ashpër ndaj tij duke e dëmtuar. Brazili i dha pushim në ndeshjen e humbur përballë Hungarisë. Kur u aktivizua në ndeshjen kundër Portugalisë, Pelé u dëmtua përsëri dhe braktisi para kohe duelin, i cili u fitua nga luzitanët me një Eusebio-n në formën e jetës.
Meksikë 1970 – Edhe pse kishte thënë se nuk dëshironte të luante më në Botëror, Pelé u paraqit me Brazilin në Meksikë 1970. Shënoi gol kundër Çekosllovakisë dhe Rumanisë, i shërbeu assist shokëve në çerekfinale kundër Perusë dhe gjysëmfinale kundër Uruguait. Në finale do të ishte ai protagonisti i madh kur me një goditje të bukur me kokë i hapi rrugën Brazilit të dërrmonte Italinë, 4-1.